Bankat shqiptare nuk kanë kapacitet për të dhënë kredi të mëdha

Familjet në Shqipëri nuk janë kredituar nga bankat as sa gjysma e rajonit, ndërkohë që ky tregues në vendet e rajonit dhe të tjera në tranzicion është 20-35% e PBB-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar në një studim për “Thellësinë Financiare” në Shqipëri, referon se në vitin 2017 kredia ndaj individëve nuk është më shumë se 13 për qind e PBB-së. Fondi sqaron se, kreditimi i ulët për ekonomitë familjare të Shqipërisë reflektoi një model bankar të fokusuar në kreditë e mëdha të korporatave dhe nga ana tjetër çështjet e titujve të pronësisë mbi tokën penguan përdorimin e tyre si kolateral. Më tej, Fondi thekson se të ardhurat nga emigrantët qenë një burim i madh financimi për ndërtimin e banesave. Megjithatë së fundmi bankat kanë filluar të zgjerojnë kredinë e individëve për të diversifikuar portofolet e tyre. Nga ana tjetër, kreditimi i individëve është penguar edhe mungesa e fondeve afatgjata që disponojnë bankat. Meqenëse depozitat afatshkurtra janë burimi kryesor i financimit për bankat, mundësia për të dhëna kredi afatgjatë në monedhën vendase është e kufizuar. Bankat e huaja mund të përmirësojnë kreditimin e individëve nga fondet e bankave mëmë, por ato nuk janë, duke përdorur më këtë instrument për shkak të rreziqeve që vijnë nga kursi i këmbimit. Fondi sugjeron se, promovimi i financimit afatgjatë në monedhën vendase, duhet të zhvillohet nëpërmjet një reforme të gjerë institucionale. Nga ana tjetër, sistemi jobankar është relativisht i pazhvilluar dhe ofron hapësirë të kufizuar për financim afatgjatë. Kredia është e lidhur ngushtë me konsumin dhe ndikon në frenimin e investimeve. Vlerësimet e Fondit tregojnë se, nëse kredia bie me 1%, efekti i saj në rritjen ekonomike është (-0.2.%) Sipas analizës së FMN, niveli i ulët i kredisë në sektorin privat shpjegohet me të ardhurat të ulëta, informalitet të lartë dhe pengesa institucionale. Një pengesë e rëndësishme institucionale lidhet me zbatimin e kontratave dhe mbulimin e kolateralit. Gjithashtu, mungesa e vlerësimit të kredive në regjistrin e kredive dhe informacioni i ngushtë për huamarrësit kontribuojnë në depërtimin e dobët të kredisë. Shqipëria historikisht ka pasur një përhapje të ulët të shërbimeve bankare, edhe si rrjedhojë e trashëgimisë komuniste, por edhe tani gati tre dekada në ekonominë e tregut shqiptarët nuk kanë raport të mirë me shërbimet financiare, pasi vetëm 20 për qind e tyre kanë një llogari bankare në raport me vendet e tjera të rajonit 50 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç e ka një llogari në bankë.