Thirrja e Stresit pas arrestimit të babait: Të qëndrojmë fort

Të gjithë ata që menduan se pas protestës së opozitës para Parlamentit do të kishte qetësi, e kanë pasur gabim. Kjo për faktin se me të rënë mbrëmja, policia ka nisur një fushatë arrestimesh të personave, të cilët ishin të përfshirë në këtë protestë. Mes të shoqëruarve në orët e vona të mbrëmjes së sotme ishte edhe Sali Lusha, një nga simpatizantët e njohur të Partisë Demokratike, dhe njëkohësisht babai i reperit Stresi.
Me të marrë lajmin e shoqërimit të të atit në polici, Stresi, ka vrapuar menjëherë te Drejtoria e Policisë, ku janë grumbulluar të shoqëruarit. Por ajo që nuk pritej ishte fakti se, protesta e reperit problematik shqiptar ishte shumë civile, madje në prononcimin për “News 24”, ai u tregua shumë qytetar dhe elokuent në kërkesat e tij.
“Babain tim e kanë shoqëruar vetëm e vetëm se ka marrë pjesë në një protestë të ligjshme. Po na sulmojnë politikisht, pasi ai nuk ka bërë asgjë. Ai ishte në një protestë të ligjshme, ku duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët për të mbrojtur të drejtën e tyre. Jam këtu me vëllanë dhe po presim t’i lirojnë, ndërkohë që ju bëj thirrje të qëndrojnë fort…”, u shpreh Stresi.