Mbeturinat pushtojnë bregdetin e Durrësit

Përmbytjet e fundit me të cilat u përball vendi ynë prekën kryesisht pjesën qendrore dhe jugore të territorit. Pamjet që solli Citizen Channel, pasi lumenjtë u tërhoqën në shtratin e tyre, ishin të ngjashme me vendgrumbullimet e mbeturinave. Mijëra qese, bidona dhe mbetje të tjera vareshin nëpër pemët buzë lumenjve. Prurjet e shumta të lumenjve Erzen dhe Ishëm, megjithëse ndodhen disa kilometra larg disa prej plazheve të frekuentuara përgjatë periudhës së verës në qytetin e Durrësit; Currila, Kallm dhe Porto-Romano, një sasi e konsiderueshme plastike, gome dhe mbetjesh të tjera e kanë ndotur bregdetin përgjatë tij. Madje nuk mungonin as gjymtyrë kafshësh, ambalazhe ilaçesh dhe age. Syri Gjergji, kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, pranë Bashkisë Durrës na bën me dije se ka nisur puna gradualisht për pastrimin e vijës bregdetare. “Ne do të bëjmë çmos që me atë fuqi punëtore që kemi, e cila për hir të së vërtetës nuk është një fuqi punëtore e planifikuar për këtë qëllim, që të shtrijmë aktivitetin tonë deri në Gjirin e Lalëzit apo në grykëderdhjen e lumit Ishëm”, u shpreh për ai Citizens Channel. Ndërsa në një komunikim telefonik, shefi i kabinetit të kryebashkiakut Dako, Lavdosh Beqiraj, u shpreh se “gjendeshin në terren dhe se situata më problematike paraqitej në grykëderdhjet e lumenjve Erzen dhe Ishëm”. Pranë hidrovorit në Porto-Romano ngrihen pirgje me mbetje urbane dhe kallamishte. Ato janë nxjerrë mënjanë, pasi rrezikonin bllokimin e hidrovorit. Ndotje kjo e sjellë nga kanalet kulluese (dhe të ujërave të zeza) që kalojnë në zonën e banuar të ish-Kënetës. Ndërsa në anën tjetër, kanali kullues (dhe i ujërave të zeza) të zonës së Spitallës dhe Porto-Romanos, i depoziton mbetjet urbane direkt në Detin Adriatik. “Ndotja e bregdetit nga mbetjet urbane ndodh si pasojë e transportit të tyre nëpërmjet rrjedhave lumore në det. Burimi i ndotjes është mënyra e stilit konsumator të jetesës së njeriut, gjatë së cilës gjenerohet një sasi shumë e madhe mbetjesh”, thotë për Citizens Channel, Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës “EDEN” (Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim). Menaxhimi i mbeturinave kryesisht në zonat periferike ka qenë një nga sfidat më të mëdha të administrimit lokal përgjatë këtyre 27 viteve, me lëvizjet masive të popullsisë, dikur komuna, sot njësitë amdministrative janë pjesë e bashkive të qyteteve. Keqmenaxhimi i mbetjeve urbane në zonat periferike sjell hedhjen e tyre në përrenj dhe lumenj, duke shkaktuar një ndotje që transferohet nga mjedisi lumor në atë detar. Sipas ligjit të miratuar më 31 korrik të vitit 2014, qeverisja lokale e Shqipërisë përbëhet nga ndarja e saj në tre nivele. Sipas këtij ligji ndahet në 12 qarqe, 61 bashki dhe njësi administrative. Pastrimi i bregdetit të Durrësit paraqet një tjetër aspekt problematik, pasi Ndërmarrja e Shërbimit Komunal në Bashkinë Durrës është e fokusuar kryesisht tek pastrimi i qytetit.