Jeruzalemi dhe qëndrimi i Trump

Asllan BUSHATI

Para disa ditësh, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ritheksoi e firmosi (në mënyrë identike) një deklaratë të Presidentëve të mëparëshëm amerikan: Klinton, Xhorxh W Bush dhe Obama se: SHBA-ja, do ta trasferojë selinë e Ambasadës së SHBA-së në Izrael, nga Tel Avivi për në Jeruzalem. Kjo sipas Presidentit Trump, do të bëhet në një kohë të përshtatshme, pasi të jenë siguruar vendi, mjetet financiare dhe ndërtimi i selisë. Firmosja e këtij akti (që nënkupton edhe njohjen nga SHBA të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit), shkaktoi një “furtunë” diplomatike dhe mediatike, duke e quajtur atë një herezi për të mos thënë një “çmenduri” të Presidentit. Si shqiptaro-amerikan, si vatran, si opinionist në shtypin e përditshëm dhe si ish-ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare ndjej si një detyrim moral të shfaq opinionin tim për këtë problem, i cili mund të konsiderohet tashmë madhor.
Për të patur një qasje më të thjeshtë të shkrimit, do të preferoja përdorimin e metodës së katakizmit ku pyet vetë dhe përgjigjesh vetë. Kështu pyetja e parë që më vjen në mendje është: kjo deklaratë dëgjohet tani për herë të parë, apo ishte thënë edhe herë të tjera? Përgjigja është: po ishte thënë edhe më parë nga presidentët e përmendur më lart (të cilët nuk e bënë realitet), por edhe nga Presidenti Trump në fushatën elektorale të vitit 2016. Atëherë sipas një logjike të thjeshtë, Presidenti nuk ka bërë asnjë “çmenduri”, por po mban një premtim elektoral. Por këtu duhet theksuar një gjë shumë specifike madje dhe e rëndësishme se: Zoti Trump nuk erdhi në krye të Shtëpisë Bardhë i formatuar e “stërvitur” nga asnjë lloji kariere politike, por erdhi si një President ndryshe e larg formësimit burrokratik. Ai pikërisht për këtë “President ndryshe” u votu nga elektorati amerikan, sepse amerikanët ishin “ngopur” me rrumbullakosjet e veprimet brenda trasesë politiko-diplomatike shumëvjeçare.
Pyetja e dytë mund të jetë: këtu brenda SHBA-së, firmosja e këtij dokumenti tani, a ka ndonjë arsye tjetër? Mendoj se po. Sepse në të dy krahët e politikës, ka një komunitet të madh hebre, i cili luan një rol të rëndësishëm në biznes, Kongres, Senat, strukturat qëndrore e lokale të shtetit. Ata janë të interesuar për zbatimin e këtij dokumenti presidencial, sepse janë të zhgënjyer nga prentimet boshe të mëparshme. Kështu me këtë lëvizje Presidenti Trump, fiton pikë dhe siguron më shumë garanci në Kongres e Senat për votimin e premtimeve të tjera elektorale.
Po Jeruzalemi çfarë përbën për botën, hebrejt, palestinezët etj? Për botën, ai është hapësira ku ndodhen tri vendet më të shenjta të kulteve të njerëzimit. Si i tillë ai kërkohet që kjo pasuri botërore e kulteve, të ruhet e administrohet sa më mirë që të jetë e mundur. Por të shërbej edhe si vend pelegrinazhi, në paqe të përhershme, në çdo kohë e për gjithkënd.
Për hebrejt (izraelitët), Jeruzalemi, dihet (dhe pranohet botërisht) se si vendbanim njerëzish, më së pari është krijuar e formësuar prej tyre, pra hebrejve. Por në tri mijë vitet e fundit, ai më pak ka qenë në paqe dhe më shumë në luftë. Pushtuesit kanë filluar me egjiptianët …palestinezët,.. romakët… etj., dhe në shekujt e fundit.., turqit, anglezët e izraelitët. Marrë shkas nga faktet historike të të qenit formues të këtij vendbanimi nga hebrejt, por edhe nga fakti se palestinezët jetojnë në ato troje (edhe nën pushtimin e të tjerëve) për gati dy mijë vite, OKB-ja në 1947-ën vendosi për krijimin në atë hapësirë të Autoritetit Palestinez dhe Shtetit të Izraelit.
Por harta e vendbanimeve të këtyre dy etnive, si rezultat i luftërave, zhvendosjes dhe kolonizimeve ka ndryshuar disa herë deri tek gjendja aktuale. Në këto kushte të pas 70 viteve, Izraeli e njeh politikisht Autoritetin Palestinez në klauzolat e shtetit indipendent, nëse edhe ata në të njëjtën kohë e njohin Izraelin si shtet independent dhe fqiun e tyre. Kurse Autoritetet Palestinezë nuk e njeh fare ekzistencën e Izraelit si shtet. Kjo ka bërë që OKB-ja ta njoh Izraelin si anëtar të saj me të drejta të plota dhe Autoritetin Palestinez me statusin e vëzhguesit nën përfaqësimin e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), sepse shumica e anëtarëve të OKB-së nuk e njohin Autoritetin Palestinez.
Parë më gjërë, e drejta historike dhe shtet formimet, nuk përkojnë me njëra-tjetrën. Shtet formimi nuk njihet (prevalohet) mbi të drejtën historike, por mbi gjendjen aktuale të popullsisë së vendbanimit. Aktualisht sot tre të katërtat (pjesa perëndimore) e Jeruzalemit janë të banuara nga izraelitët dhe një e katërta (pjesa lindore) nga palestinezët.
Po veçmas për palestinezët çfarë është Jeruzalemi? Ai është kryeqender e tyre dy mijë vjeçare e njohur edhe me një dokument të OKB-së që të vitit 1947-1948. Por harta e vendbanimeve në ditët e sotme, (siç u përmend edhe më lart), ka pasuar ndryshime të mëdha demografike nga ajo e 1947-1948-ës. Realiteti në terren flet për një shtrirje të vendbanimeve izraelite në përmasat që nuk e pengojnë atë aspak ta shpallë dhe ta bëjë realitet Jeruzalemin Perëndimor kryeqytet të Izraelit.
Atëherë a mund të ishte një zgjidhje e pranueshme që pjesa lindore e Jeruzalemit të shpallej dhe të pranohej nga të dy palët si kryeqytet i Autoritetit Palestinez dhe pjesa perëndimore po ashtu si kryeqytet i Izraelit? Pse jo. Aktualisht në pjesën perëndimore janë të vendosura disa ministri dhe institucione të rëndësishme të Izraelit dhe çfarë do t’i shtonte apo t’i hiqte peshës së këtij qyteti lëvizja e Ambasadës Amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalemin perëndimor? Nga pikëpamja formale asgjë. Nga pikëpamja diplomatike po, sepse përfaqësitë diplomatike vendosen në kryeqytetet e vendeve ku atashohen. Po praktikisht a mund të jetonin, të funksiononin dhe të punonin pa penguar njëri-tjetrin dy kryeqytete të dy etnive të ndryshme (izraelite e palestineze) në Jeruzalem? Prirem të besoj se nëse do të vendoset paqe e qëndrueshme dhe e garantuar nga OKB-ja, pse jo, madje të ishte një shembull i madh për civilizimin e ardhshëm botëror.
Po europianët a friksohen dhe pse, nga deklarata e Presidentit Trump? Po. Ata realisht e kanë një arsye madhore me praninë e shumë refugjatëve nga lufta në Irak, Siri e Libi. Në këto kushte ata mendojnë se mund të ketë trazira të reja në Lindjen e Mesme të cilat do të prodhojnë kontigjente të rinj refugjatësh dhe problemi do të bëhej i pa përballueshëm për to. Kjo qëndron, por pyetja shtrohet pse duhet të ketë trazira, kur nga pikpamja formale asgjë nuk po ndryshon. Trazirat nuk ja zgjidhin problemin as palestinezëve, as izraelitëve dhe as atyre që fishkëllejnë a bërtasin si spektatorë.
Po Rusia, Turqia dhe Irani, pse turfullohen kaq shumë për deklaratën e Presidentit Trump? Mendoj se së pari, ata i bashkojnë disa interesa të ngushta anti amerikane në Lindjen e Mesme, sepse secila veç e veç, por dhe në tërësi (si bashkësi në formim), duan ta dominojnë rajonin. Çdo përpjekje amerikane për ta fuqizuar Izraelin ose vetëm thënia e idesë se çështja e Kurdistanit ekziston dhe se heret a vonë do të bëhet nje realitet i prekshëm siç u bë Izraeli para 70 viteve, atyre ju lëvizin “pllakat tektoinike”.
Po shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Maltë Zi, si ta vlerësojnë deklaratën e Presidentit Trump, në një kohë që kërkojnë t’i bashkangjiten BE-së dhe kjo e fundit nuk e mbështet atë. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për rrugën dhe qëndrimin pro amerikan. BE-ja ka punët e veta dhe vështirësitë e panumërta, siç shpesh është e pa zonja të marrë vendime të shpejta, të drejta e të bashkrenduara me të gjithë partnerët. Por BE-ja është hapësira të së cilës i përkasim, gjeografikisht, politikisht, kulturalisht etj., pra është shtëpia jonë natyrale. Kurse deklarata kundërvënëse që Kryeministri Edi Rama, i bëri BE-së se në qoftë se ju nuk na pranoni në gjirin tuaj, ka edhe opsione të tjera ruse, kineze a turke, në këndshikimin dhe gjykimin tim, është krejt e pa kuptimtë për të mos përdor ndonjë konotacion më negativ. Opsionet lindore ne shqiptarët i kemi provuar dhe kanë rezultuar fatale si me turqit, rusët dhe kinezët.
Por shqiptarët janë me të drejtën e zotit t’ju bëjnë me dije izraelitëve se në kohërat më të vështira për ju, ne si komb ju kemi mbrojtur, duke rrezikuar vehten dhe familjet tona. Tani është radha juaj të njihni pa asnjë ekuivok pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, lypset t’ju bëhet me dije palestinezëve, se për disa dekada në periudhën e shtetit totalitar, ju kemi mbrojtur, ndihmuar, madje kemi stërvitur ushtarakisht kuadrot tuaj të “AL Fatahut” (në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare). Tani është koha të reagoni dhe të njihni pavarësinë e Kosovës.
Pyetja e fundit që mund të bëhet për deklaratën e Presidentit Trump është se a mundet që kjo deklaratë të prodhojë më shumë terrorizëm se më parë? Mendoj se jo. Terrorizmi ka ekzistuar, ekziston dhe do të vazhojë të ekzistojë edhe një perudhë kohe, por intensiteti i tij mendoj se do të vijë duke u ulur. E them këtë se besoj shumë tek demokracia, prosperiteti, zhvillimi, qytetërimi e arsimimi i popujve, shoqërive, organizmave, organizatave e institucioneve të ndryshme të çdo vendi. Shkurt besoj se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më tolerante, agresiviteti e ekstremizmi fetar do të ulet dhe një shpërndarje më e mirë e të ardhurave do të bëhet i prekshëm për këdo.