Fakte të reja si Rama ka vënë shtetin në shërbim të Balilajve

 

Vendimi i opozitës për të nisur një valë protestash, duke filluar nga javët e para të janarit është vendimi që përgjigjet thirrjes së qytetarëve. Kreu i PD, Basha përmend fakte të reja që dëshmojnë se si Rama ka vendosur gjithë shtetin në shërbim të grupeve kriminale të trafikut të drogës.
“Nuk ka njeri në Shqipëri dhe jashtë vendit sot që të besojë se
-Edi Rama dhunoi Kushtetutën,
-goditi Reformën në Drejtësi,
-emëroi një kryeprokuror pa veting,
-vodhi votat e opozitës,
-përdori Gardën për t’i hequr të drejtën e fjalës opozitës brenda në Parlament
-që të zgjedhë një kryeprokuror që çon përpara drejtësisë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon apo ministrat e tij të korruptuar. Natyrisht që nuk ka njeri që e beson këtë.
Ngutja për të zgjedhur një kryeprokuror pa veting dhe në shkelje të Kushtetutës ka për qëllim ndalimin e hetimit për njerëzit më të afërt të Edi Ramës, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim me krimin e organizuar për Saimir Tahirin, për Vangjush Dakon, për dosjen e “Xibrakës”, për Qazim Sejdinin dhe ministrat e korruptuar. Zgjedhja antikushtetuese dhe pa veting e Kryeprokurorit është tregues i panikut të Edi Ramës, për faktin e thjeshtë, sepse përditë po zbulohen fakte të reja sesi Saimir Tahiri e ka venë Policinë e Shtetit në shërbim të Habiljave dhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, fakte që po zbulohen nga hetimi në Itali apo nga raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror me 127 oficerë të lartë të Policisë të përfshirë për të cilën Edi Rama e ka ditur prej vitesh dhe nuk ka vepruar. Sepse ka qenë pjesë e skemës, ka qenë motivuese dhe përfituese e drejtpërdrejtë i skemës që e ktheu Policinë e Shtetit nën drejtimin e Saimir Tahirit në një organizatë kriminale në funksion të kthimit të Shqipërisë në nyjën kryesore të drogës në Europë.
Po dalin fakte të reja sesi Edi Rama ka vënë shtetin në shërbim të Balilajve, jo thjesht dhe vetëm mos ekzekutimit të urdhrit ndërkombëtar për arrest nën presion të autoriteteve europiane dhe amerikane, të DEA-s amerikane, por edhe fakti që deri para pak ditësh, Balilajt kanë fituar tendera nga Edi Rama me vlera afro 850 mijë euro për mbrojtjen e objekteve shtetërore.
Kjo është situata, kjo është gjendja, ndaj vendimi i opozitës për të nisur një valë protestash, duke filluar nga javët e para të janarit është vendimi i duhur, është vendimi i drejtë dhe i përgjigjet thirrjes së qytetarëve, të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk mund të pranojnë kurrë që Kushtetuta të dhunohet, e të nëpërkëmbet për të ruajtur, mbrojtur dhe lartësuar pushtetin autokratik dhe kriminal të një qeverie të bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me qeverinë”, tha Basha.