Duma: Mazhoranca i trembet protestave

Një nga deputetet që është kallëzuar nga policia pas protestës së ditës së hënë të opozitës para dhe brenda Kuvendit, është dhe Grida Duma. Në emisionin ‘Studio e Hapur’ në News 24, Duma deklaroi se kjo situatë është diçka qesharake. Ajo tha se qëllimi mazhorancës është që të frikësojë aktivistët e opozitës të mos dalin në protesta.
Duma bëri me dije se frika e opozitës nuk është fare çështja e kryeprokurores, por me këtë gjë që i kanë bërë shqiptarëve; duhet të ketë më shumë frikë mazhoranca. Pyetjes, si ndiheni që jeni proceduar në gjendje të lirë, Duma u përgjigj se është qesharake. “Si ndihemi me situatat qesharake?! Si gjithmonë i kemi pranuar këto. Më vjen mirë që disa deputetë të PD ju gjendën aktivistëve që ishin marrë me idenë për t’i futur brenda për t’i frikësuar. Gjëja e mirë është që me asistencën dhe presionin e deputetëve të PD aktivistët kanë dalë. Frika e opozitës nuk është fare çështja e kryeprokurores. Me këtë që i kanë bërë shqiptarëve duhet të ketë më shumë frikë mazhoranca”, u shpreh Duma.
Dhjetë deputetë opozitarë janë proceduar në gjendje të lirë për shkak të tensioneve të shkaktuara ditën e djeshme në seancën parlamentare. Të proceduarit penalisht nga ana e PD janë deputetët Ervin Salianji, Gent Strazimiri, Edi Paloka, Klevis Balliu, Flamur Noka, Grida Duma. Ndërsa nga ana e Lëvizjes Socialiste janë Floida Kërpaçi, Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari. Noka, Paloka dhe Duma, janë proceduar për “Prishje së rendit dhe qetësisë publike’, ndërsa të tjerët për “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.