Cili është Interi i vërtetë?

Luciano Spalletti këmbëngul se Inter “i vërtetë” nuk është skuadra që u mposht 3-1 nga Udinese, por ajo që ka marrë 40 pikë në 17 ndeshje. Zikaltërit u mposhtën për herë të parë me Spallettin si trajner, teksa e panë veten në disavantazh 3-1 kundër “zebrave” në “San Siro”. Megjithatë, trajneri nuk është treguar shumë i ashpër me futbollistët dhe gjatë festës së Krishtlindjeve deklaroi: “Urojmë që këto festa të jenë pa telashe, me shumë lumturi, përqafime dhe kënaqësi. Personalisht zgjedh që këtë herë të jem në krah të futbollistëve. Unë e di skuadra e vërtetë nuk është ajo në humbjen ndaj Udinese, por që ka marrë 40 pikë në 17 ndeshje”.
“Zakonisht kur flas me skuadrën i them se tifozët janë një skuadër e dytë. Ata na kanë mbështetur në çdo ndeshje dhe kanë festuar me ne. Mendoj se pavarësisht nga humbja që kemi bërë i gjithë ambienti zikaltërt është shumë i kënaqur me ekipin që kemi ndërtuar sivjet. Këtë herë, pas humbjes me Udinese morëm edhe më shumë duartrokitje se në ndeshjet e tjera, kjo tregon ambientin e shkëlqyer që është krijuar në ekipin tonë”, përfundoi Spalletti.