Atentat me armë në Korçë dhe Himarë, dy të plagosur

Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë në dy atentate në Korçë dhe Himarë. Bëhet e ditur se, një 39-vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:05, në hyrje të Korçës, përgjatë aksit rrugor Korçë-Ersekë. Burime nga policia bënë të ditur se, shtetasi Mina Zoja, ka mbetur i plagosur në këmbë, ndërsa nga dëshmia e këtij të fundit ka qenë një person, që ka qëlluar ndaj tij. Ky i fundit është larguar fill pas ngjarjes. Sipas burimeve, fillimisht ka pasur përleshje midis 39-vjeçarit dhe 8 personave të tjerë. Pasi e kanë goditur, autorët janë larguar me shpejtësi. Më pas janë kthyer dhe e kanë qëlluar me armë, ku ka marrë një plumb në këmbë.
I plagosuri sapo ishte kthyer nga Gjermania, ku jeton prej vitesh. Vetë i plagosuri Mina Zoja është shumë i rezervuar në dhënien e informacioneve. Aktualisht, ai ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shkak për plagosjen e 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë një konflikt i vjetër. Policia tha se, po punon për zbardhjen e ngjarjes. Ngjarja në fjalë ndodhi në rreth orës 18:05, në hyrje të Korçës, përgjatë aksit rrugor Korçë-Ersekë.
Po ashtu një 70-vjeçar, shofer taksie ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në Himarë. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Himarë-Llogara, në fshatin Palasë. Mësohet se shtetasi B.G., është qëlluar me armë zjarri në krah nga dy shtetas të tjerë, të cilët ishin pasagjer në mjetin e tij.
Në njoftimin e policisë thuhet se, Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë pranë vendit të ngjarjes dhe kanë konstatuar se në fshatin Palasë shtetasi B.G., 70 vjeç, shofer taksie, është qëlluar me armë zjarri dhe ka mbetur i plagosur në krah prej dy shtetasve të tjerë, të cilët ishin pasagjer. Shtetasi B.G., është transportuar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm, aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e autorëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.