Ballina Sport Afron “El Clasico”!

Afron “El Clasico”!

Luka Modriç i ka dhënë një intervistë “Codere Apuestas”, në të cilën analizon “El Clásico” kundër Barcelonës dhe situatën e skuadrës së tij: “Duhet të luajmë si një ekip ndaj Barcelonës. Është e rëndësishme që të jemi së bashku dhe të mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit. Në qoftë se ju largoheni prej tyre, Barcelona ka lojtarë, të cilët mund t’ju dënojnë. Si vjen Real Madridi në këtë supersfidë? Ne jemi në formë të mirë dhe të lumtur që e presim këtë ndeshje të madhe para Krishtlindjeve. Jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm për të zhvilluar një lojë të madhe”.
“Shpresoj të fitojmë dhe të jemi më afër kreut të La Liga-s. Objektivat e sezonit? Ne jemi në La Liga dhe do të japim gjithçka në kampionat. Do të përpiqemi të rikthehemi në garë për titullin. Përveç kësaj, kemi edhe Champions-in e Kupën e Mbretit. Uria për të fituar? Kjo nuk është e vështirë për mua. Karakteri im është i tillë; gjithmonë dua më shumë. Edhe nëse jam i kënaqur me atë që kam bërë, gjithmonë dua më shumë”, u shpreh Modriç.
Këtë të shtunë nga ora 13:00 në “Santiago Bernabeu” do të takohen dy skuadrat më të mira në botë, Real Madrid dhe Barcelona. Madrilenët në këtë takim do të synojnë fitoren për të ngushtuar rezultatin ndaj katalanasve që udhëheqin me 11 pikë, por që Reali ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në anën tjetër, Barcelona dëshiron të thellojë edhe më tepër epërsinë dhe të bëjë një hap të madh drejt titullit kampion. Por, para kësaj ndeshjeje të shohim se cila skuadër ka qenë më e suksesshme në 235 ndeshjet e kaluara.
Nëse shikojmë ndeshjet në La Liga, Reali dhe Barcelona në total janë takuar 174 herë, prej tyre 72 fitore i ka Reali, 69 Barcelona dhe 33 herë kanë barazuar. Në Copa del Rey janë takuar 33 herë, ku Reali ka 12 fitore, Barcelona 14 dhe 7 herë kanë barazuar. Në Ligën e Kampionëve madrilenët kanë fituar 3 herë për dallim nga Barcelona dy, ndërsa tre takime kanë përfunduar me rezultat të barabartë.
Në gara të tjera këto dy skuadra janë takuar 20 herë, ku sërish Reali është skuadër më e suksesshme me 8 fitore, kundrejt Barcelonës që ka 6 dhe 6 të tjera janë ndarë baraz.
Në total këto dy skuadra janë takuar plotë 235 herë, ku kampioni aktual i Spanjës, Evropës dhe botës ka 95 fitore, Barcelona ka 91, ndërsa 49 herë ndeshjet kanë përfunduar me rezultat të barabartë.

Exit mobile version