1 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Malin e Zi

Policia e Malit të Zi ka sekuestruar 1 tonë drogë të futur nga Shqipëria dhe ka vënë në pranga 11 persona. Policia malazeze bëri të ditur se gjatë operacionit të koduar “Trik”, i cili ka një vit që ka nisur, ka sekuestruar një sasi prej 928 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, 1,7 kg drogë e llojit heroinë dhe 3 kg bazë materiale për përzierjen e lëndës narkotike heroinë. Në prangat e policisë malazeze në Podgoricë të sektorit anti-narkotike ka rënë shtetasi Ndue Pepaj 27 vjeç shtetas shqiptar dhe banues në Malësi të Madhe, pronar i një lokali në zonën e Bajzës.
Ai akuzohet nga Prokuroria në bazë të hetimit se ka qenë kreu i grupit kriminal të strukturuar, të cilët nga Shqipëria kanë trafikuar lëndën narkotike në Mal të Zi dhe e kanë shpërndarë atë nëpër vende të ndryshme. 8 persona të tjerë janë arrestuar që nga fillimi i këtij aksioni policor një vit më parë. Ndërsa, ditën e dielë dhe të hënë në Podgoricë në pranga kanë rënë Ndue Pepaj 27 vjeç me shtetësi shqiptare banues në Malësi të Madhe dhe shtetasit Gjon Junçaj, Vasel Junçaj dhe Violeta Junçaj, të tre këta shqiptarë nga Tuzi i Malit të Zi.
Ndërsa janë kryer edhe kontrolle në disa banesa, ku dyshohet se janë përdorur nga ky grup kriminal si dhe janë sekuestruar tre automjete si dhe një armë zjarri automatik, e cila ka qenë e groposur në bahçen e një shtëpie në lagjen Konik të Podgoricës, ndërsa do i nënshtrohet akt ekspertizës, pasi dyshohet se mund të jetë përdorur në kryerjen e vrasjeve në Mal të Zi. Ndaj shtetasit Ndue Pepaj, Prokuroria e Malit të Zi ka ngritur akuzën për ‘krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike’.
Në Podgoricë janë kryer kontrolle në disa banesa që dyshohet se janë përdorur nga të arrestuarit. Po ashtu u sekuestruan tre automjete, si dhe ky automatik “kallashnikov”, që gjendej i groposur në bahçen e një shtëpie në lagjen Konik të Podgoricës. Ndaj Ndue Pepajt, Prokuroria e Malit të Zi ka ngritur akuzat për “Krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Shqiptari kapet në Itali me 5 kg kokainë

Një shtetas shqiptar 27 vjeç është arrestuar për trafik droge nga Policia e Bergamos. Policia italiane e Bergamos ka arrestuar në flagrancë një çift francez të moshës 58 e 47 vjeç si dhe një shtetas shqiptar 27 vjeç me akuzën e trafikut të drogës së tipit kokainë. Arrestimi i tyre është bërë në periferinë e Komunës Ponte San Pietro të Bergamos. Ka qenë automjeti i tipi “Seat Ibiza” me targë franceze i parkuar në një zonë periferike të qytezës, i cili ka tërhequr vëmendjen e forcave të policisë.
Gjatë kontrollit ata kanë zbuluar në flagrancë një shtetas shqiptar 27 vjeç banues në komunën Grassobbio, ndërsa i paguante 180 mijë euro cash çiftit francez, e merrte në dorëzim 5 kg kokainë. Droga ishte e fshehur poshtë sediljes në një vend të komanduar në mënyrë elektrike për hapjen e mbylljen e tij. Ndaj 3 personave është lëshuar urdhëri i arrestimit me burg.

Trafik kokaine nga Shqipëria në Itali

Operacioni i koduar “Shuttle 2015” i Policisë Financiare italiane e qytetit të Mesinës në Siçili, ka shkatërrruar një bandë trafikantësh droge mes Shqipërisë e Italisë. Ky operacion ka çuar në urdhër arrestimin ndaj 9 personave, njëri prej të cilëve është shtetas shqiptar. Ky grup kriminal trafikonte hashash e kokainë nga Shqipëria në rajonet e Puglias e Siçilisë me anë të autobusëve të linjës, prej nga ka marrë dhe emrin operacioni i policisë italiane.
Grupi i trafikantëve drejtohej nga një grua Giacoma Cambria, e cila së bashku me dy vëllezërit e saj Michele e Giovanni planifikonin transportin e drogës përmes furnizuesve shqiptarë e pugliezë.
Korrierët e drogës shfrytëzonin autobuzët e linjës Puglia-Messina, për të transportuar hashash e kokainë deri në Messina ku më pas u shitej trafikantëve të vegjël të territorit. Me urdhër të prokurores Daniela Urbani është lëshuar urdhër arresti me burg ndaj 3 personave e ndërsa 6 të tjerë janë vënë nën urdhër arresti shtëpiak.
Nën urdhër arresti shtëpiak me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizim të paligjshëm kriminal është vënë dhe shqiptari Nikol Marku 37 vjeç, anëtar i kësaj bande trafikantësh. Gjatë operacionit “Shuttle 2015” u sekuestruan 5 kg hashash e 50 gramë kokainë.
Hetimet, të koordinuara nga Prokuroria, kanë zbuluar se banda e trafikantëve drejtohej nga një grua dhe dy vëllezërit e saj, të cilët planifikonin transportin e drogës bashkë me furnizuesit puljezë e shqiptarë, të ndihmuar nga korrierë besnikë, që shfrytëzonin linjat e autobusëve që shkonin nga Puglia në Messina, duke kaluar ngushticën me anije. Pasi arrinte në Messina, droga u dorëzohej trafikantëve lokalë. Droga e trafikuar kap vlerën rreth gjysmë milioni euro. Personat e goditur nga operacioni janë tetë italianë dhe një shqiptar.