Ballina Editorial Taulanti kërkon votat e munguara!

Taulanti kërkon votat e munguara!

Enver Bytyçi

Taulant Balla është kapur me presh në duar. Ish-kryeministri Berisha publikoi fotografinë se si kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, po shtyp butonin e një deputeti të munguar demokrat për të votuar prokuroren e përkohshme të Shqipërisë.
Kjo është kapje në krim, është kapje në flagrancë. Të votosh për llogari të dikujt tjetër është e dënueshme jo vetëm nga pikëpamja morale e politike, por edhe nga pikëpamja ligjore. Meqenëse Taulant Balla moralin dhe politikën i ka si bakllavë në tepsinë e Edi Ramës, do të duhej që prokurorja e zgjedhur të zbatonte një standard: Të jepte dorëheqjen! Nuk është në nderin e një të zgjedhuri të qëndrojë në detyrë, kur me figurë e me zë mbështetësi i tij/saj është kapur në falsifikim. Një prokurore e zgjedhur kësisoj, nëse do të kishte sadopak integritet dhe dinjitet, nuk do të rrinte asnjë minutë në detyrën e zgjedhur, pas një votimi antikushtetues dhe pas një besimi në tym e flakë! Natyrisht nuk është faji i saj pse një manipulator, edhe pse kryetar i grupit parlamentar të mazhoramcës, vjedh hapur votën e një kolegu të tij! Por ajo do të jetë në faj e bashkëpunëtore e Taulant Ballës, nëse pranon një detyrë me vota të falsifikuara!
Pastaj prokurori i zëvendësuar do të duhej të rikthehej në detyrë dhe të hapte menjëherë çështjen penale në ngarkim të Taulant Ballës. Sipas ligjit, ai duhet dënuar për falsifikim të votës, për imponim të vullnetit të tij në mënyrë klandestine për një deputet tjetër të opozitës, për mashtrim në votim, për shtrembërim të vullnetit të përfaqësuesve të sovranit popull.
Nëse nuk ndodhin këto, ky akt i turpshëm moral e politik, por edhe në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, duhet të trajtohet nga opozita si përpjekje e mazhorancës socialiste për të restauruar diktaturën në Shqipëri. Restauratorët e diktaturës në kupolën e Rilindjes, edhe pse të demaskuar në sytë e opinionit publik, nuk po ndalen në veprimtarinë e tyre për rrënimin e sistemit demokratik në Shqipëri. Në këto kushte, opozita ka një arsye më shumë jo vetëm të kërkojë ndjekjen penale të Taulant Ballës, por edhe të luftojë me të gjitha format për rivendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Shqipëri, sipas modelit demokratik të shtetit të së drejtës. E drejta dhe manipulimi nuk shkojnë bashkë. Liria dhe grabitja e saj janë dy të kundërta që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Taulant Balla grabiti lirinë e kolegut të tij deputet. Kush beson se ai nuk grabit edhe më tej lirinë e shqiptarëve?!

Exit mobile version