Noka: Nuk ka forcë të krimit që mund të mposhtë revolucionin

Deputeti i PD, Flamur Noka i ka bërë thirrje policisë të largohet dhe të mos dhunojë qytetarët. Ai tha se Parlamenti është i shqiptarëve. “Edi Rama nuk përfaqëson popullin, por është në pushtet me paratë e drogës, është në pushtet me bandat e krimit. Nuk ka forcë të krimit dhe parave të drogës që mund të mposhtë revolucionin. Jemi sot më të vendosur se kurrë për t’i thënë atij horri se ai Parlament nuk është i krimit, por është i qytetarëve. I themi policëve, largohuni, mos ushtroni dhunë mbi qytetarët”, tha Noka. Nga ana tjetër ai është shprehur se është fare e thjeshtë arsyeja që e çoi Ramën në këtë zgjedhje të kryeprokurores, frika nga dosjet që e rrethojnë. “Sikleti më i madh i Ramës është dosja e Saimir Tahirit. Kjo dosje që e ka mbytur Edi Ramën, është arsyeja pse ai mbërriti deri në këtë pikë, ku shkelmoi Kushtetutën dhe kapi dhe pushtetin e fundit që është ai i drejtësisë. E kapi sot për të ruajtur kokën e tij dhe për ta përdorur më pas si kobure të mbushur kundër opozitës. Kemi dosjen Tahiri, kemi dosjen e Xibrakës, ku është i kapur vëllai i kryeministrit kokë e këmbë”, deklaroi Noka.