Basha: Protesta masive kombëtare në javët e para të janarit, Parlamenti u delegjitimua

Një valë e fortë protestash do të nisë pas pak javësh, në muajin janar e udhëhequr nga opozita e bashkuar. Pas përplasjeve të forta në Parlament dhe jashtë tij kundër zgjedhjes antikushtetuese të kryeprokurorit të ri, opozita e bashkuar u mblodh në selinë e Partisë Demokratike për të diskutuar hapat që do të ndërmerren në vijim. Pas mbledhjes, në një deklaratë për mediat, kreu i PD, Basha bëri të ditur se në javët e para të janarit, opozita do të zhvillojë një protest të madhe popullore kundër regjimit Rama dhe pushtetit të tij. “Vendimi unanim i opozitës parlamentare është nisja e një vale protestash popullore për të ndalur çmendurinë e narkokryeministrit që sot është edhe prokurori i vendit. Vendimi unanim është nisja që sot e punës për një protestë të madhe popullore në javët e para të janarit”, tha ai. Deklarata u bë pas mbledhjes së përbashkët të Grupit parlamentar të PD me Grupin parlamentar të LSI, ku të dyja palët rakorduan për hapat e mëtejshëm opozitarë pas kurorëzimit në Kuvend të kryeprokurores së re, Arta Marku, vetëm me votat e Partisë Socialiste. “Pavarësisht prej llomotitjeve dhe çmendurive të Edi Ramës sot, tha Basha, faktet për çdo shqiptar dhe gjithë botën janë të thjeshta dhe të qarta. Pas tre vjetësh përpjekjeve kombëtare dhe mbarëkombëtare për Reformë në Drejtësi, sot është emëruar një kryeprokuror pa Vetting, një kryeprokuror vetëm me votat e një partie, të partisë, zyrtarët kryesorë të së cilës janë sot para organit të akuzës për dosje të krimit dhe korrupsionit. Edi Rama ka realizuar sot një puç kushtetues dhe këtë nuk e fsheh dot askush. Kushtetuta nuk lejon zgjedhjen e një kryeprokurori me më pak se 3/5 e votave. Edi Rama e ka bërë këtë puç me një qëllim: për të mbyllur dosjet e krimit dhe të korrupsionit. Për të mbyllur dosjen e Saimir Tahirit, që t’i mbyllë gojën Saimir Tahirit dhe të sigurojë kështu imunitet për vete dhe familjarët e tij. Për të mbyllur dosjen e Vangjush Dakos, për të mbyllur dosjen e Qazim Sejdinit, për të penguar hetimet për korrupsion për Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Ilir Beqajn dhe eskortën e zyrtarëve të lartë të kapur në vjedhje flagrante dhe grabitje të pasurive të shqiptarëve. Edi Rama nuk mund të fshihet pas gishtit. Opozita sot tregoi se nuk do të lejojë kurrsesi më një parlamentarizëm fasadë. Parlamenti i dalë nga vota e vjedhur e 25 qershorit, sot deligjitimoi plotësisht veten. Vendimi unanim i opozitës parlamentare është nisja e një vale protestash popullore për të ndalur çmendurinë e narkokryeministrit që sot është edhe kryeprokuror i vendit, duke rrëzuar shtyllat kushtetuese të bashkëjetesës demokratike, duke rrezikuar stabilitetin, demokracinë dhe integrimin evropian të vendit. Vendimi unanim i opozitës shqiptare është nisja që sot e përgatitjes për një protestë të madhe popullore dhe kombëtare në javët e para të janarit dhe nisjen e një vale protestash, ndërkohë që me Parlamentin e deligjitimuar dhe ilegjitim, ne do të marrim të gjitha veprimet politike në interesin më të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët”. I pyetur nëse e kanë shqyrtuar propozimin për djegien e mandateve, sipas propozimit të Berishës, Basha u përgjigj: “Ne do të marrim vendimin më të mirë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një gjë është e qartë: Parlamenti i dalë nga vota e vjedhur sot u deligjitimua plotësisht”.