Basha: Përmbysje diktaturës së krimit

Kryetari i PD, Basha e konsideroi vendimin e Parlamentit një puç kushtetues për të mbrojtur të inkriminuarit që e rrethojnë në qeveri dhe pushtetin lokal. Ai përshëndeti mijërat e protestuesve përpara Parlamentit.
“Parlamenti ka konsumuar një puç kushtetues. Edi Rama ka konsumuar dhunimin e Kushtetutës për të mbrojtur Sajmir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë, veten e tij.
Opozita ka mbajtur qëndrimin e saj. Qytetarët i janë bashkuar, dua t’i përshëndes, i përgëzoj dhe i falenderoj nga zemra. Sot i kemi treguar mbarë vendit dhe gjithë shqiptarëve dhe gjithë faktorit ndërkombëtar, se ne nuk jemi dhe nuk do të bëhemi kurrë fasadë e autokracisë kriminale.
Shpërbërja e krimit në pushtet dhe pushtetit të lidhur me krimin, sapo ka filluar dhe opozita do të vazhdojë me vendosmëri, me besim të madh, këtë rrugë në krye të qytetarëve të bashkuar për demokraci dhe liri.
Askush të mos kujtojë se ne do të rrimë duarkryq e do të pranojmë kokëheshtur puçin kushtetues për llogari të krimit. Do të pranojmë kryeprokurorin e Habiljave, Balilajve, Tahirit, Dakos, do të pranojmë Edi Ramën të sundojë këtë vend për pasurimin e tij, dhe pushtetin e tij, duke shkelur mbi shqiptarët dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha Basha.
Ai paralajmëroi se rruga e vetme e shqiptarëve të bashkuar është përmbysja e diktaturës së krimit.
“Në më pak se dy ditë juve iu përgjigjët thirrjes së opozitës dhe unë dua t’ju falenderoj nga zemra për praninë, vendosmërinë, betejën tuaj epike sot. Me ne janë qindra, mijëra shqiptarë që njësoj si ne, nuk mund të pranojnë kurrë një narkoshtet me një narkokryeministër, me një narkokushtetutë, me një narkokryeprokuror.
Fillimi i lëvizjes sonë për të rikthyer kushtetueshmërinë për reformën e vërtetë në drejtësi, për drejtësinë e pakapur politike, është fillimi i një rruge pa kthim, për përmbysjen e diktaturës së krimit”, tha Basha.

Basha në Parlament: Urdhëri i popullit, binduni

Sot është një ndër ditët më dramatike për këtë Parlament, një nga ditët më të rënda për demokracinë 27-vjeçare, një nga ditët më të vështira për qytetarët shqiptarë që duan një vend demokratik, ku respektohet Ligji dhe Kushtetuta.
Sot, në dhunim flagrant të Kushtetutës, shumica parlamentare po kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon. Akoma më keq, që e ka të ndaluar ta prekë, e ka të ndaluar t’i afrohet. Kjo është një seancë antikushtetuese.
Sot në mënyrë tinzare ju po bëheni gati për një grusht të mirëfilltë shteti.
Prej shekujsh, Perëndimi, Europa, SHBA, shembujt e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, e kanë sanksionuar qartë, ndarjen e pushteteve si themelin e demokracisë, si themelin e vetë lirisë së çdo individi.
Legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia, janë dhe duhet të jenë të ndarë nga njëri-tjetri. Kjo është arsyeja se pse Kushtetuta e Shqipërisë dhe Reforma në Drejtësi, e cila është e gjitha e mishëruar në këtë Kushtetutë, ia ndalon shprehimisht, një force të vetme politike emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Nenet e kësaj kushtetute janë të qarta dhe ju jeni paralajmëruar vazhdimisht gjatë këtyre javëve të zeza për demokracinë, për kushtetutshmërinë dhe për Reformën në Drejtësi, të mbani duart larg pushtetit të tretë, pushtetit të drejtësisë.
Jeni paralajmëruar të mos vazhdoni më pengimin dhe bllokimin e hetimeve për Sajmir Tahirin, për Vangjush Dakon, për Qazim Sejdinin, për dosjet e korrupsionit të ministrave për koncesionet, për inceneratorët, për qindra milionë euro të shqiptarëve, të vjedhura e të shpërdoruara sipas dokumentave zyrtare të këtij shteti. Por ju jeni të vendosur të shkelni Kushtetutën për të mbrojtur veten tuaj, për të mbrojtur pushtetin tuaj të paligjshëm dhe për të mbrojtur pasuritë tuaja.
Ky është çasti i fundit ku në emër të Kushtetutës ju kërkoj të tërhiqeni!
Kushtetuta është arsyeja përse ekziston ky Parlament, dhe jo anasjelltas. Ky është urdhëri i popullit, bindjuni atij, ose përndryshe përballuni me pasojat!

Rama meriton një tjetër përgjigje

Basha i kërkoi kreut të Kuvendit që të mos lejojë shkeljen e Kushtetutës, përndryshe opozita brenda dhe jashtë Parlamentit do të kishte një tjetër përgjigje.
“Gramoz Ruçi, Ke një kërkesë të drejtuar nga unë në emër të gjithë opozitës parlamentare, ke një kërkesë me shkrim institucionale nga tre grupet parlamentare opozitare. Dhe jo vetëm kaq. Është detyra jote, e gjithësecilit prej nesh në këtë sallë të mos lejojmë dhunimin e Kushtetutës.
Kushtetuta është arsyeja pse jemi ulur sot këtu. Kushtetuta është arsyeja pse ka Parlament dhe jo Parlamenti pse ka Kushtetutë. Kushtetuta ta ndalon shprehimisht të bësh aktin që ke futur në rendin e ditës, kapjen e Prokurorit të Përgjithshëm me votat e një partie politike. Reforma në Drejtësi ta ndalon të kapësh Prokurorin e Përgjithshëm, Reforma në Drejtësi që kaloi me 140 vota dhe me përkrahje politike totale kombëtare dhe ndërkombëtare ta thotë shprehimisht se Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet me më pak se 3/5 e votave se Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet pa vetting. Ndaj, kërkesat i ke dhe mbi kërkesat ke urdhrin sublim të sovranit, të shkruar në Kushtetutë të zezë mbi të bardhë, tërhiqu nga shkelja e Kushtetutës, tërhiqu nga tentativa për puç kushtetues, përndryshe opozita brenda dhe qytetarët jashtë nuk kanë rrugë tjetër, por të qëndrojnë me të gjitha forcat dhe mjetet në mbrojtje të Kushtetutës”, tha Basha, duke iu drjetuar mazhorancës, e cila nuk kishte asnjë reflektim.

Rama si Hitleri

Basha tha se, reagimi i Ramës dhe PS është një shkatërrim i pluralizmit politik, ndërsa e krahasoi Ramën me Hitlerin. Ju shikoj, unë, ju shikojnë shqiptarët, ju shikon bota, dhe më në fund e kuptojmë se sa qesharakë jeni kthyer, se çfarë skllavërie të krimit ju ka kaptuar shpirtin. Si mundet të ngrehni kartonat ju në një votim të thjeshtë procedure për të shkelur Kushtetutën. Edhe Adolf Hitleri u kujdes për forma më shumë se ju, kur shkatërroi pluralizmin politik dhe demokracinë gjermane, me konsekuence fatale për botën dhe Europën, edhe për vendin tonë. Kush mendoni ju se jeni?! Të ngreni kartonat për të ndryshuar me vullnetin tuaj të ndrydhur nga paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit vullnetin e shqiptarëve që e përfaqëson vetëm Kushtetuta e Shqipërisë. Nuk ka shans!