Tahiri i shmanget pyetjes për diamantet dhe byzylykët që ka marrë nga Habilajt

Gjykata e Krimeve të Rënda la dje në fuqi vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata vendosi për bllokimin e pasaportës dhe mos lejimin e tij të largohet nga Shqipëria. Tahiri dha vetë shpjegime para Gjykatës për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Ish-ministri tha se, Prokuroria nuk kishte paraqitur asnjë provë të re. Ai tha se nuk kishte ndërmend të largohej nga vendi dhe se ishte personi më i interesuar për t’i shkuar deri në fund çështjes.
Ish-ministri Tahiri, pas daljes nga Gjykata e Krimeve të Rënda u shpreh për mediat, se nuk ka asnjë lidhje me anëtarët e bandës që po hetohen në Itali dhe Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge. Tahiri u shpreh se është i gatshëm të futet edhe në burg, nëse është i fajshëm, por nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetarëve nëse ka marrë dhurata si diamantë apo byzylykë nga Habilajt siç përmendet në përgjimet e Prokurorisë së Katanias.
“Faktet e paraqitura nga Prokuroria nuk janë rrethana të reja. Unë i dija që në Parlament. Mua nuk më është shtuar asnjë akuzë e re. Ligji i referohet rëndësisë së faktit dhe rrezikut të nxitimit për t’u larguar. Unë jam njohur me akuzat e ngritura ndaj meje, që kur akuza u paraqit në Parlament. Mua nuk më është shtuar ndonjë akuzë. Unë kam dalë nga Shqipëria dhe jam kthyer prapë. As kam menduar ndonjëherë të largohem. Jam i interesuar t’i shkoj kësaj çështjeje deri në fund. Nëse ishte për të ikur, do të kisha ikur para vendimit tuaj për masë sigurimi”, është shprehur Tahiri para Gjykatës.
Tahiri iu referua edhe pretendimeve të Prokurorisë mbi hyrje-daljet e tij në kufij me automjete të familjes Sota. “Nëse në këtë vendim i jeni referuar hyrje-daljeve të mia, është e vërtetë që unë kam hyrje-dalje pa fund me kë mjet kam dashur. Unë nuk kam hyrje-dalje me mjete me asnjë kriminel, apo që në dijeninë time të ishte një person i inkriminuar. Mua më dhëmb në parim marrja e një mase sigurie pa bazë”, tha ai.
Ish-ministri tha se nuk kishte asnjë arsye për t’u larguar, pasi as nuk ishte tromaksur dhe as në panik nga hetimi. “Fakti që dy patenta janë gjetur në një makinë apo dy persona përmendin emrin tim, nuk më bën me faj. Nuk do doja t’ju shihja ju apo ndonjë person tjetër vetëm pse i përmendet emri në telefonata. Këtu ka edhe biseda, ku janë përmendur emra kryetarë gjykatash, ai i Gjykatës së Lartë, në biseda telefonike të personave të dyshuar për korrupsion. Jam i gatshëm të merrni çdo masë sigurimi. Nuk më cenon masa e sigurimit sesa parimi. Për masën, nëse kështu duhet, po bie edhe unë dakord. Hajde se po rrimë këtu”, tha Tahiri.
Avokati Maks Haxhia tha se, Tahiri ka lëvizur jashtë shtetit për nevoja familjare dhe është kthyer. “Sota dhe familja e tij nuk kanë qenë persona të inkriminuar, që të vendosin para përgjegjësisë penale klientin tim. Sa për mjetin “Audi”, klienti im nuk e ka marrë asnjëherë këtë mjet. Ajo i është sjellë nga xhaxhai”, tha avokati.
Gjykatësja Liljana Baku, pasi dëgjoi të gjitha palët dhe qëndrimet e tyre, tha se vendimi i ndalimit për të udhëtuar jashtë lihet në fuqi, pasi pretendimet e të dyshuarit janë të pabazuara.
Jashtë sallës së gjyqit, interesit të lartë të medias, Tahiri iu përgjigj me vetëm një fjali. “Do të flas shumë shpejt”. Ndërsa avokati Maks Haxhia tha për gazetarët se, ishte një vendim i pritur, pasi Gjykata është kthyer në notere të vendimeve të Prokurorisë. “Ne e prisnim vendimin e kësaj gjykate, pasi kjo gjykatë është kthyer në notere të vendimeve të Prokurorisë. Gjithsesi ne do të apelojmë për këtë vendim”, tha avokati Maks Haxhia.
Në vendimin e 9 dhjetorit 2017, Gjykata për Krimet e Rënda bazohej në disa përgjime të ardhura nga autoritetet italiane, nga hyrje-daljet e Tahirit në kufi me mjetin e tij “Audi” pas shitjes dhe me mjete të familjes Sota si dhe dyshimin se 863 mijë euro të gjetura në mjetin e Orest Sotës i përkasin ish-ministrit.

R.POLISI