Skandali “Mueller” në hetimin e Trump

Kevin Johnson

Agjenti i FBI-së që është hequr nga posti i këshilltarit për hetimin e Robert Mueller, në fillim të vitit i është referuar Donald Trump si “idiot” përpara zgjedhjes së tij, sipas disa emaileve që i janë dorëzuar Komitetit Gjyqësor ditën e martë. Peter Strzok, një agjent i kundër-inteligjencës, i cili ka drejtuar hetimin e Hillary Clinton për përdorimin e serverit privat të postës elektronike, ka shprehur një preferencë të pastër për kandidatën demokrate, teksa lëshonte ofendime pa fund kundër republikanëve. Republikanët, thotë ai në një email, “duhet të nxjerrin kokën nga prapanica ku e kanë futur”.
Strzok u hoq nga stafi i Mueller këtë vit, pasi hetuesit e Departamentit të Drejtësisë filluan të shqyrtonin nëse ai kishte shkëmbyer emaile, ku kritikonte Presidentin Trump. Strzok u riemërua menjëherë këtë verë në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Byrosë këtë verë.
Zbulimi i 375 mesazheve të komunikimit ndërmjet Strzok dhe kolegës së tij agjente të FBI-së, Lisa Page, nxorri se aty jo vetëm kishte referenca për Presidentin Trump, por ofendonin edhe ish-kandidatët demokratë, Bernie Sanders dhe Martin O’Malley, madje shpreheshin edhe preferenca seksuale për guvernatorin republikan të Ohios, John Kasich. Komunikimet e përftuara nga USA TODAY në mbrëmjen e së martës mbulonin mesazhet e një viti ndërmjet Strzok dhe Page, duke filluar më 16 gusht 2015, deri në 1 dhjetor 2016.
Komunikimet ndërmjet dy zyrtarëve fillimisht ranë në vëmendjen e inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë gjatë një hetimi në lidhje me mënyrën se si është zhvilluar hetimi për Hillary Clinton. Page ishte caktuar edhe në ekipin e Mueller, por ishte rikthyer në FBI përpara se të zbuloheshin mesazhet.
Politikanët republikanë, përfshirë edhe kreun e Komitetit Gjyqësor Bob Goodlatte, kanë kërkuar publikimin e këtyre mesazheve që pas shpjegimit të heqjes së Strzok në fillim të muajit. Gjatë një komunikimi të 16 gushtit 2015, Page tha se një poster i Bernie Sanders i hipte dëshirën të gërvishte makinën.
“Ai është një idiot, njëlloj si Trump”, u përgjigj Strzok. “Duket sikur anulojnë njëri-tjetrin”. Publikimi i komunikimeve u bë një ditë përpara se zëvendës kryeprokurori, Rod Rosenstein, të dilte përpara Komitetit Gjyqësor.
Javën e kaluar, politikanët republikanë në të njëjtin panel pyetën nga afër drejtuesin e FBI-së, Christopher Wray rreth Strzok dhe gjithashtu ngritën pikëpyetje për kredibilitetin e hetimit të Mueller, për shkak të përfshirjes së Strzok në të. Përmbajtja e komunikimeve ka gjasa t’i intensifikojnë më shumë kritikat kundër hetimit në fjalë, veçanërisht për faktin se agjenti e ka ofenduar vazhdimisht Presidentin Trump.
Më 4 mars 2016, Page i drejtohet Trumpit me frazën “njeri i neveritshëm”. Strzok përgjigjet në më pak se një minutë duke thënë: “E megjithatë mund të fitojë. A do të ishte një president më i keq se Ted Cruz?”. “Kush? Trump? Kështu mendoj”, përgjigjet Page. Kolegët e FBI-së, Strzok dhe Page duket se kanë mbuluar të gjithë situatën politike me komente ofenduese dhe eksplicite duke mos kursyer asnjë kandidat dhe as votuesit. Ata flasin edhe për referencën e bërë nga ana e Trumpit, se madhësia e dorës mund të jetë tregues i pushtetit seksual të një personi.
“Amerika do të marrë atë që meritojnë votuesit”, shkruan Strzok në mars. “Këtë kam frikë”, përgjigjet Page. “O Zot, Hillary duhet të fitojë 100 milionë me 0”, vazhdon Strzok. Disa muaj më pas, pasi hetimi për Hillary Clintonin filloi të zbehej dhe me afrimin e konventave kombëtare republikane dhe demokrate, Strzok dhe Page, duket se kishin frikë nga marshimi i vazhdueshëm i Trumpit në fushën republikane. Në një mesazh të 12 qershorit 2016, Strzok i refererohet “fanatizmit absurd të Trumpit” dhe thoshte se, “njerëzit po shpresojnë që Clinton të fitojë”.
Vetëm pak ditë, pasi kreu i FBI-së James Comey deklaroi se nuk do të rekomandonte akuza kundër Hillary Clinton në hetimin e postës së saj elektronike, Strzok citoi sondazhin e “New York Times” duke theksuar se hetimi po peshonte kundër Hillary Clintonit, e cila në atë kohë ishte kokë më kokë me Trumpin. Gjatë konventës republikane të dy kolegët komentuan të gjithë morinë e folësve një nga një, përfshirë edhe aktorin Scott Baio.
Më pas, Strzok pyet në lidhje me performancën e Trump, duke iu referuar atij si “debil”. Gjatë konventës demokratë në fund të atij muaji, toni i komenteve zbutej dukshëm, pasi Strzok fliste për kandidimin historik të Clinton. “Urime për ditën e kandidimit të një gruaje për president nga një parti e madhe! Kishte ardhur koha! Uroj për shumë kandidime të tjera!” “Sa e këndshme! Faleminderit,” përgjigjet Page. Teksa përshkruante momentin që Clinton fitoi kandidimin, Strzok i shkroi mikeshës së tij: “Jam shumë i emocionuar, sepse më pëlqen Amerika kështu”.
Që kur autoritetet federale deklaruan heqjen e Strzok, konservatorët kanë vënë në pikëpyetje kredibilitetin e hetimit të Rusisë dhe i kanë bërë thirrje kryeprokurorit, Jeff Sessions, të emërojë një prokuror special. Ata kërkojnë të rishqyrtojnë jo vetëm paragjykimin për politikanët në ekipin e Mueller, por edhe vendimin e Comey për të mbyllur hetimin e Clintonit pa rekomanduar akuza, si dhe për dhënien e uraniumit të Shteteve të Bashkuara tek një kompani ruse.
Ditën e martë, avokatët e Trumpit bënë thirrje për emërimin e një këshilltari të ri special për të hetuar lidhjet ndërmjet Departamentit të Drejtëssië dhe Fusion GPS, firma e kërkimeve politike që ka dorëzuar një dosje të paverifikuar ku pretendon se Trump ka lidhje me qeverinë ruse. Sessions ka drejtuar prokurorët federalë për të vlerësuar kërkesat e republikanëve, por ende nuk ka marrë një vendim.
Demokratët thonë se, republikanët po i ngrenë tani këto dyshime për t’i shpëtuar hetimit për lidhjen ndërmjet fushatës së Trumpit dhe Rusisë, si dhe për pengimin e drejtësisë nga ana e presidentit. Hetimi i Mueller solli dy padi dhe dy fajësi nga ana e stafit të Trumpit – përfshirë edhe ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, i cili i kishte gënjyer FBI-së në lidhje me kominikimet e tij me ambasadorin rus. Lajmet për lëvizjen e Strzok erdhën një ditë, pasi ekipi i Mueller deklaroi se kishte arritur një marrëveshje me Flynn. Flynn kishte rënë dakord të bashkëpunonte me hetimin e ndërhyrjes së Rusisë në fushatën e vitit 2016.
Në një deklaratë të lëshuar më 2 dhjetor, Sessions thotë se, akuzat e komunikimeve anti-Trump të Strzok “do të ngrenin pyetje të mëdha në publik po të ishin të vërteta”. “Do të sigurohemi që kushdo që punon në këtë hetim të mos ketë asnjë favoritizëm apo paragjykim. FBI-ja nxorri edhe një deklaratë ku pasqyronte politikat dhe procedurat në lidhje me sjelljen e denjë të punonjësve të agjencisë, përfshirë edhe komunikimet e tyre.

Disa nga mesazhet anti-Trump ndërmjet zyrtarëve të FBI-së Peter Strzok dhe Lisa Page që shkaktuan heqjen e Strzok nga hetimi i Mueller:

03/04/2016
Page – O Zot, Trump është njëri i neveritshëm.
Strzok – Megjithatë mund të fitojë.
Strzok – Gjë e mirë për Hillaryn.
Page – Ashtu është.
Strzok – A do të ishte president më i keq se Ted Cruz?
Page –Trump?, Kështu mendoj.
Strzok – Nuk jam i sigurt.
Strzok – O Zot, ai është idiot.
Page – Është i tmerrshëm.
Strzok – Amerika do të marrë atë që meritojnë votuesit.
Page – Këtë frikë kam.

03/16/2016
Page – Nuk më besohet që Donald Trump mund të jetë një kandidat i vërtetë për president.

04/02/2016
Page – Si thua sikur të shkruajmë me mesazhe kur flasim për Hillaryn, sepse nuk mund të përgjohen.

Page – Donald Trump është debil.
Strzok – Si mund të jetë gjë tjetër veçse devil? Po Melania?
Page – Trump pothuajse nuk foli, por sapo hapi gojën tha se “do të ishte një fitore shumë e madhe”. Më duket sikur jetoj në një ëndërr të keqe.
Strzok – O Zot.
Page – Melania ishte mirë, por bashkëshortja duhet të tregojë histori personale, për faktin se bashkëshorti është njeri shumë i mirë. S’ka çfarë të thotë për këtë.
Strzok – Këtë punë kishte! Dhe për çfarë dreqin foli? Për fitoren shumë të madhe?
Page – Nuk e di. Tha që burri i saj ishte fantastik, por asnjë provë për ta mbështetur këtë.
Strzok – O Zot! Po e dëgjon? Fjalimi i Melania paska disa pjesë të kopjuara nga një fjalim i Michelle Obama. E pabesueshme.
Page – Nuk ka mundësi!
Page – O Zot, çfarë organizimi. Shpresoj që ky organizim i keq t’i prishë punë në nëntor.
Strzok – Të shpresojmë. Jam në panik.

08/26/2016
Strzok – Isha në një supermarket Walmart në Virginia. Nuhatej mbështetja për Trumpin…
Page – Po. I urrejmë të dy të gjithë dhe këtë situatë.
Page – Vendi ynë është një rrëmujë e vërtetë.
Strzok – Po, është një vend i frikëshëm.

10/20/2016
Strzok: Jam gjithë nerva. Trump është një idiot i dreqit, nuk jep dot asnjë përgjigje koherente.
Strzok-Nuk më besohet se çfarë dreqin po i ndodh këtij vendi.
Page-Nuk e di. Por do ta marrim veten. Ne jemi Amerika. Jemi të hatashëm.
Strzok-Donald sapo tha “bad hombres”
Strzok-Trump tha se FBI-ja është e turpshme.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI