Përleshje me thika në mes të Tiranës, një i plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendër të Tiranës. Dy të rinj janë përleshur me njëri-tjetrin dhe kanë përdorur edhe thikat. Njëri prej tyre ka mbetur i plagosur. Bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në Bulevardin ‘Gjergj Fishta’, ose siç njihet unaza. Autori i dyshuar i plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e një të riu, të ndodhur pasditen e djeshme në Bulevardin “Gjergj Fishta”.
Policia njofton se: Rreth orës 14:30, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në Bulevardin “Gjergj Fishta”, po konfliktohen dy shtetas. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:
Në Bulevardin “Gjergj Fishta”, ka ndodhur një konflikt ndërmjet dy shtetasve, ku për pasojë është dëmtuar me mjet prerës shtetasi M.M., 23 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e policisë është identifikuar autori dhe po punohet për kapjen e tij. Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, njofton Policia.