INSTAT i Ramës e pranon: Investitorët e huaj po largohen

Në vitin 2016 numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta (bashkëpronësi e huaj dhe shqiptare) u ul me të paktën 5.1% në raport me një vit më parë. Të dhënat bëhen publike në studimin e fundit të Institutit të Statistikave dhe Bankës së Shqipërisë mbi bizneset e huaja në Shqipëri ku jepet më gjerësisht edhe kontributi i tyre real në punësim, eksporte, importe dhe investime.
“Në vitin 2016, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16% të totalit të punësimit dhe kanë kontribuar me 22,7% në totalin e xhiros vjetore. Ndërmarrjet me pronësi 100% të huaj mbulojnë 71,4% të totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa ndërmarrjet e përbashkëta me mbizotërim të huaj mbulojnë 14% të tyre”, thuhet në raportin e INSTAT.

Origjina dhe aktiviteti

Vendet e Bashkimit Europian janë edhe ato që kanë më shumë investitorë prezent në Shqipëri. Sipas INSTAT në vitin 2016, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Evropian zënë afërsisht 2,5% të ndërmarrjeve aktive gjithsej në Shqipëri dhe 70 % të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta.
Nga ana tjetër, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10,9% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta kurse ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e tjera zënë 19,1%.
Ndërmarrjet nga shtetet e BE janë aktive kryesisht në shërbime 24.3% çka i dedikohet kryesisht zgjerimit të call center, por edhe shërbimeve të tjera. Në tregti janë të angazhuara 18.6% e tyre, dhe në industri (13,6%), ndaj totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta.
“Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, bazuar në numrin e të punësuarve, në vitin 2016 ndërmarrjet e vogla nga vendet e BE-së mbulonin 77,1% të të gjitha ndërmarrjeve të BE-së, ndërsa kompanitë e mëdha mbulonin 1,3%. Kjo përqindje e bizneseve të vogla dhe të mëdha lidhet me veprimtarinë ekonomike, ku ata veprojnë”, vlerëson INSTAT.

Bie numri i të punësuarve

INSTAT bën me dije se në vitin 2016, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16% të punësimit gjithsej, nga 17,7% në vitin 2015. Shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta përbëjnë 22,7% të shitjeve neto të ndërmarrjeve rezidente në vitin 2016, ndërsa gjatë vitit të kaluar ky tregues ishte 24,6%.
Përqindja e investimeve të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta është 46,9% e investimeve gjithsej të vitit 2016, ndërsa në vitin 2015 ishte 42%.

Investimet e Huaja Direkte

“Investimet e Huaja Direkte janë një faktor kryesor i integrimit ekonomik ndërkombëtar dhe globalizimit. Statistikat e besueshme të IHD-ve kanë qenë gjithmonë thelbësore për hartuesit e politikave që përballen me sfidat e tërheqjes dhe shfrytëzimit të investimeve të huaja. Stoku i IHD është rritur me 14%, në 2016 krahasuar me 2015. Në fund të vitit 2016, vendet e BE-së përbënin pjesën më të madhe të Stokut (59,3%), të dominuara nga Greqia dhe Holanda respektivisht me 21,7% dhe 12,6%” pohon INSTAT.