Bllokohet në Greqi drogë dhe armë nga Shqipëria

Policia greke ka sekuestruar dje një sasi droge dhe armësh të futura nga Shqipëria. Operacioni është kryer në zonën pyjore të Xrisorahit në Janinë, pas informacioneve paraprake. Policia helene bëri të ditur se, gjatë operacionit ka gjetur të fshehura 7 çanta me 123 pako që përmbanin 138 kg e 400 gram marijuanë, 1 armë zjarri automatik tip “Kallashnikov” me 2 krehëra me 20 fishekë dhe 528 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Policia greke bëri të ditur se droga dhe armët janë futur nga Shqipëria. Policia nuk ka arritur të zbulojë autorët, por bëri të ditur se po vijojnë hetimet për kapjen e tyre dhe për lidhjet e mundshme me trafikantë grekë.
Ndërkohë, po ditën e djeshme një sasi e madhe kanabisi ka dalë nga bregu i detit në Greqi. Policia greke bëri të ditur se, disa pako me lëndë narkotike janë gjetur pranë shkëmbinjve në bregdet në qytetin e Lefkadhës. Pakot e drogësu vunë re nga disa oficerë policie që po patrullonin dhe informuan kolegët e tyre të sigurisë. Nga ekzaminimi që iu bë katër pakove të dyshimta u zbulua se brenda tyre kishte kanabis. Pesha totale ishte 53 kilogramë.
Lënda narkotike u konfiskua dhe ka nisur një hetim për të zbuluar nëse pakot me drogë ishin fshehur qëllimisht tek shkëmbinjtë apo kishin rënë në det gjatë trafikimit me skafe nga brigjet shqiptare.
Para dy javësh u kap një skaf me 1.6 ton kanabis që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave greke, droga vinte nga Shqipëria dhe hedhin dyshime të forta se ishte e komanduar nga politika shqiptare. Sipas mediave grekë, karteli çonte marijuanë në Turqi dhe merrte heroinë, është zbuluar nga shërbimet amerikane. Në këtë operacion morën pjese shërbimet greke dhe italiane. Të gjitha këto shërbime arritën në përfundimin se, karteli funksiononte nën urdhrat apo tolerancën e ish-ministrit Saimir Tahiri, njëkohësisht edhe drejtuesve që ndodhen pranë Kryeministrit Edi Rama.
Në bordin e skafit u arrestuan dy shqiptarë dhe një italian. Mediat greke shkruanin se, roja bregdetare e lidh ngushtësisht ngarkesën prej 1.6 tonë kanabis me Habilajt. Operacioni u finalizua me arrestimin e një biznesmeni grek nga Mikonosi në një hotel në Athinë.
Në automjetin e biznesmenit, policia greke gjeti kuti me dokumente, të cilat synonte t’i merrte gjatë arratisjes. Pas arrestimit, ai ka mohuar lidhjet me drogën dhe ka thënë se ka bërë një marrëveshje private për të dhënë përkohësisht skafin tek personat e tretë. Gazetat greke shkruanin se droga do të shkarkohej në Turqi, nga ku, sipas një prej pistave, do të merrte heroinë për ta çuar atë në Shqipëri. I njëjti burim informacioni zbulon për median greke se i njëjti rrjet qëndron pas dy përpjekjeve të mëparshme për të transportuar sasi të mëdha hashashi nga Shqipëria në Itali në prill dhe shtator 2017. Rasti i parë i referohet muajit prill 2017. Rasti i dytë i referohet tentativës për transport të 2.3 tonë hashash nga Shqipëria në Itali në muajin shtator, ku ngarkesa u transportua me skafin e biznesmenit të arrestuar grek.
Pothuajse për çdo ditë policia greke bllokon sasira droge të futur nga Shqipëria. Janë plot 3.8 ton drogë e kapur nga fillimi i muajit tetor deri më sot në të gjithë Greqinë. Sasira të mëdha droge janë kapur pranë kufirit greko-shqiptar në raste të ndryshme, më i fundit ai i tre ditëve më parë në Igumenicë dhe ku ranë në pranga tre shqiptarë.
Volumi i madh i drogës së futur në Greqi gjatë kohëve të fundit, ku aktorë kryesorë janë shqiptarët, ka bërë që policia greke të angazhohet fuqishëm në këtë luftë kundër narkotikëve dhe detyroi zyrtarët e lartë të policisë helene të dalin në konferencë për të dhënë detaje në lidhje me situatën alarmante të drogës.