Qeveria, asnjë kompensim banorëve për përmbytjet

Qeveria nuk jep asnjë kompensim për banorët që pësuan dëme të mëdha nga përmbytjet e para pak ditëve. Deputetët e opozitës kërkuan dje në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë në Kuvend që të dëmshpërbleheshin nga qeveria të gjithë banorët që pësuan dëme nga përmbytjet, por mazhoranca nuk pranoi të diskutohej kjo temë e rëndësishme, duke braktisur edhe mbledhjen e Komisionit. Në këtë mbledhje ishte thirrur për të raportuar ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, por në vend të saj ishte zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili foli në tërësi për angazhimin e forcave të ushtrisë në zonat e përmbytura.
“U angazhuan 2917 forca, 544 mjete, pajisje dhe agregate. Angazhimi operacional i FA gjatë kësaj periudhe ka qenë fokusuar në evakuimin e popullsisë nga zonat e përmbytura, transferimi i personave të sëmurë, përforcimi emergjent i argjinaturave të digave dhe lumenjve, vendosje pritash, hapje dhe pastrim kanalesh, furnizim me ujë të pijshëm të spitaleve, largim ujërash etj”, tha Koçi.
Zëvendësministri i Mbrojtjes nuk dha asnjë shifër se sa ishin dëmet e shkaktuara nga përmbytjet për familjet dhe bizneset. Ai nuk tha asnjë fjalë se si do të dëmshpërblehen të prekurit nga përmbytjet, kur nuk u shpall gjendja e emergjencës. Deputetët e PD kërkuan të dinë se sa është dëmi i përllogaritur nga shteti për shkak të përmbytjeve. Petro Koçi u shpreh se, bilanci ende nuk është bërë, duke lënë kështu të qartë se qeveria ende nuk ka një ide të saktë se sa janë dëmet reale.
Deputetët e opozitës në komision, e cilësuan një fasadë mënyrën se si u përballua emergjenca dhe kërkuan që qeveria të publikojë shifrat e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe të dëmshpërblehen të gjitha familjet e prekura si dhe bizneset që pësuan dëme.
Debati degjeneroi deri në veprime arbitrare, pasi kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj nuk pranoi t’i japë fjalën nënkryetarit të Komisionit, Flamur Noka, i cili mori mikrofonin për të folur. Noka tha se, qëndrimi i opozitës në këtë situatë ka qenë për të treguar solidaritet njerëzor, ndryshe nga ju që se keni bërë kurrë, hile shqiptarëve mos u bëni.
“Dëmshpërblim do të thotë gjendje emergjence, kur nuk shpallet gjendje emergjence, ju u keni futur gishtin qytetarëve dhe nuk i dëmshpërbleni. Qeveria e PD ka dhënë 30 milionë euro me vendime qeverie se janë shpallur gjendjet e emergjencës. Ajo që po shohim është e turpshme dhe e neveritshme. Fjalën nuk ma ndalon dot mua jo Salmonela, por askush se e kemi fituar dikur. Shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë, e gjithë e ajo situatë që u duk sikur po tentohej të përballohej ishte një maskaradë fyese dhe ofenduese për ta. Të gjithë të përmbyturit duhet të kenë parasysh se sa kohë nuk është ngritur Shtabi i Emegjencës, nuk është shpallur gjendja e emergjencës nuk do të marrin asnjë dëmshpërblim, në kuadrin e qeverisë do të marrin vetëm mashtrim dhe gishtin mbrapa”, tha deputeti i PD, Flamur Noka.
Në tre ditë, vendi ynë kaloi orë të vështira si rezultat i ujit që vërshoi drejt shtëpive dhe bizneseve kryesisht në jug të vendit. Rreth tetë mijë banesa dhe qindra biznese u përmbytën, duke u shkaktuar dëme të mëdha. Qeveria ende nuk ka dhënë asnjë kompensim për dëmet e shkaktuara dhe nuk ka ndërmend të japë asnjë dëmshpërblim për banorët e prekur ashtu siç bëri edhe vitin e kaluar.

R.POLISI