Pse rrezikon të plasë flluska e ndërtimeve

Kredia, që individët marrin për të blerë pasuri të paluajtshme, kryesisht apartamente, ka shënuar rënie në muajin tetor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në tetor, stoku i kredisë për pasuri të paluajtshme dhënë individëve arriti në 106.8 miliardë lekë, me një rënie prej 0.3% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Edhe huaja e re për këtë qëllim është sërish në rënie, duke arritur në 1.5 miliardë lekë po në tetor, me tkurrje prej 8% në raport me muajin e mëparshëm. Rënie të larta ka shënuar sidomos kredia e re për shtëpi në euro, që është përgjysmuar në krahasim me periudhën mars-qershor.
Ky është një sinjal i ri se tregu i pasurive të paluajtshme po shfaq ngadalësim të kërkesës. Më herët, ekspertët e pasurive të paluajtshme kanë pohuar për “Monitor” se ka pasur një stepje në blerjet e apartamenteve, që ata e lidhën me procesin e Vettingut, i cili parashikon se do të kalojë në filtër pasurinë e zyrtarëve. Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, procesi i vetting-ut ka sjellë pezullim të transaksioneve të kësaj kategorie, e cila është aktore e rëndësishme në treg.
Në të kundërt, oferta për apartamente, sidomos në kryeqytet është në rritje, teksa numri i lejeve të ndërtimit është trefishuar vitin e fundit (Në Tiranë janë dhënë për periudhën janar-qershor 102 leje nga vetëm 36 të tilla të dhëna në të njëjtën periudhë të vitit 2016, sipas burimeve zyrtare të INSTAT). Kapitali i lirë po orientohet sërish në ndërtim, duke rrezikuar mbi-investime në këtë sektor.
Në fund të vitit të kaluar u konstatua një gjallërim i kërkesës, i lidhur kryesisht me blerjet me cash në dorë, por edhe nga zgjerimi i kredisë. Por, më pas, me shtimin e fluksit të ndërtimeve, çmimet u stabilizuan pas rritjes së fillim vitit, madje ka pasur një tendencë në rënie në zonat e preferuara në qendër, ndryshe nga periferia ku është konstatuar një shtrenjtim prej 15-20% muajt e fundit.
Aktualisht apartamentet në periferi kushtojnë midis 450-600 euro për metër katror, ndërsa brenda unazës rriten në 900-1000 euro për metër katror, për të arritur në 2500-3000 euro në zonën e Bllokut dhe Televizionit Shqiptar.

BSH ka paralajmëruar flluskën

Në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, Banka e Shqipërisë e vlerësoi tregun e banesave me vlerën më të lartë të rrezikut për gjendjen financiare të individëve.
Në një sqarim të posaçëm për “Monitor”, Banka e Shqipërisë raportoi se në fund të qershorit 2017, në krahasim me një vit më parë, është vërejtur rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme kundrejt trendit të saj afatgjatë.
Kjo, sipas ekspertëve të bankës nënkupton që “pasuria” e individëve është disi më e ulët, dhe kjo vlerësohet si rrezik i shtuar në metodologjinë që përdor banka për të matur gjendjen financiare të individëve.
Nga ana tjetër, edhe pritshmëritë e individëve për 12 muajt e ardhshëm (për çmimet, punësimin) dhe sipas vrojtimit përkatës të konsumatorit, kanë qenë disi më të ulëta.
“Të dy këta faktorë, nuk kanë qenë në përmasa të tilla sa të ndryshojnë klasifikimin e përgjithshëm të rrezikut si “i moderuar”, por kanë ndikuar në rritjen e tij brenda kategorisë”, vlerëson BSH. Në deklaratën e stabilitetit, tregu i banesave për individët mori notën më të lartë të rrezikut në krahasim me një vit më parë.