Manchester Cyti fiton derbin

Pep Guardiola ishte shumë i kënaqur me punën e ekipit të tij pas fitores në “Old Trafford”, e cila i lë të tijtë në një pozitë të privilegjuar në Premier League. “Santpedor” iu përgjigj edhe fjalëve të Mourinhos, i cili ia atribuoi rezultatin një penalltie që nuk u akordua për “Djajtë e Kuq”. “Sezoni i kaluar ishte i njëjtë. Ai tha se fituam, ngaqë nuk mori një penallti. Jo, ne fituam sepse ishim më të mirë, tha Guardiola, i cili e mori fitoren si një shenjë fizibiliteti të imponuar nga stili i tij.
“Jam shumë i lumtur për njerëzit, të cilët thonë se në Angli nuk mund të luash si Barça. Por, unë them të kundërtën: Në Angli mund të fitoni në këtë mënyrë dhe ne po e bëjmë këtë. Ajo që na ndodhi në minutën e fundit të pjesës së parë do të na bëjë më të fortë. Futbolli ka gjëra të paparashikueshme. Në dhjetor është e pamundur të jesh kampion. Relaksimi nuk do të ndodhë, nuk ka ndodhur kurrë në ekipet e mia. Tani le të mendojmë për Swansea dhe lojërat e mëpastajme”, tha Guardiola.
Manchester City ka fituar 2-1 në “Old Trafford”, derbin kundër United, duke u “arratisur” në krye të Premier League me 11 pikë më shumë se “kushërinjtë”, kur janë luajtur 16 javët e para. Dy minuta para fundit të pjesës së parë, City kaloi në avantazh kur gjatë një rrëmuje në zonën e United topi u përplas te Lukaku dhe më pas shkoi te David Silva, që tundi rrjetën me kthesë.
Përgjigja e “djajve” erdhi me Marcus Rashford, që mposhti portierin Ederson me një diagonale të saktë, në aksionin e fundit të 45 minutave të para. Në minutën e dhjetë të pjesës së dytë, City shënoi golin e dytë në të njëjtën mënyrë, sërish gjatë një rrëmuje në zonën e United, Nicolas Otamendi e pa veten të vetëm përballë De Gea, duke lëshuar një goditje të papritshme.
Ky ishte goli i katërt për argjentinasin Otamendi në këtë sezon, më shumë se çdo mbrojtës tjetër në Premier League. Pasi ka fituar 15 dhe barazuar 1 nga 16 ndeshjet e luajtura, Manchester City ka 46 pikë, 11 pikë më shumë se Manchester United dhe 14 pikë më shumë se Chelsea, kampion në fuqi, që u mposht 1-0 nga West Ham, ditën e shtunë.