Breshëri plumbash në Bulqizë, 29-vjeçari i shpëton atentatit

Një 29-vjeçar nga fshati Peladhi në Bulqizë i ka shpëtuar një atentati ndaj tij mbrëmjen e djeshme. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automjetin tip “Land Rover” me targa AA 489 RA, me të cilin ai udhëtonte. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi. Fatmirësisht Fadil Ternova i ka shpëtuar plumbave dhe ka mundur t’u largohet atentatorëve.
29-vjeçari udhëtonte i vetëm në makinë. Të paktën 2 plumba kanë prekur automjetin e tij, ndërsa në vendngjarje policia gjeti disa gëzhoja. Forca të shumta policore të mbështetura dhe nga forcat e policisë së Dibrës kanë ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia sqaron se ngjarja po hetohet intensivisht, pasi Tërnova është person me rekorde të theksuara kriminale dhe penale. I mbiquajtur si “i forti i Bulqizës”, Fadil Tërnova rezulton i arrestuar dhe i dënuar për disa vepra penale, përfshirë tentativë vrasjeje.
Ai ka qenë i dënuar me 10 vjet burg për një ngjarje të ndodhur në 2009-ën, ku plagosi rëndë një person. 3 vjet më pas ai u arrestua pasi u kap me armë dhe një krëhër me 8 fishekë. Për këtë vepër ai bëri vetëm 8 muaj burg.
Në nëntor të 2012–ës, Tërnova u shpall në kërkim dhe u arrestua në 2015-ën nga Forcat RENEA.
Burime për ABC News thonë se, Tërbova u lirua nga Gjykata në 2016-ën. Ai mësohet se po e shlyente dënimin e tij në shërbim prove.