Barometri: Shqiptarët duan anëtarësimin në BE për të ikur nga vendi i tyre

Shqiptarët, në Shqipëri dhe Kosovë, janë populli më pro Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, por kjo jo sepse i kuptojnë të drejtat dhe detyrimet që i vijnë nga ky anëtarësim, por sepse e shohin si një mënyrë të lehtë për të braktisur vendin. Bazuar në sondazhin e “Balkan Opinion Barometer”, pyetjes se “çfarë do të thotë për ty personalisht anëtarësimi në BE?”, qytetarët e Shqipërisë i janë përgjigjur në masën 55%, liri për të punuar dhe studiuar në vendet e BE-së. Kjo përqindje është e njëjtë me atë të vitit 2016-të, por shumë herë më e lartë se, përgjigjja në vitin 2015-të, kur vetëm 36% e qytetarëve e shihnin anëtarësimin në BE, si një mundësi për t’u larguar nga vendi. Kosova ka përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të njerëzve që e duan të largohen për punë dhe studime në BE pas anëtarësimit. 58% e kosovarëve e shohin largimin si mundësi pas hyrjes në BE.
Kjo gatishmëri e shqiptarëve për ta parë BE-në si mundësi për të braktisur vendin është në kontradiktë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që kanë pothuajse një nivel ekonomik me Shqipërinë dhe Kosovën. 41% e maqedonasve janë shprehur se e shikojnë anëtarësimin si mundësi për të punuar dhe studiuar në BE, 23% e boshnjakëve, 23% e serbëve dhe 19% e malazezëve janë shprehur po njësoj. Perspektiva ekonomike zë 50% të përgjigjeve të shqiptarëve për ndikimin që do të ketë anëtarësimi në BE, e ndjekur nga liria për të udhëtuar me 24%, paqja dhe stabiliteti me 20%, mbrojtja sociale me 15% dhe barazia gjinore me 3%. Për 7% të shqiptarëve anëtarësimi në BE nuk do të thotë asgjë.