Ballina Aktualitet Asnjë i dyshuar për vrasjen e vëllait të ish-deputetit socialist

Asnjë i dyshuar për vrasjen e vëllait të ish-deputetit socialist

Ndonëse kanë kaluar tre ditë nga vrasja e vëllait të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. Të gjithë personat e shoqëruar janë liruar dhe nga ta nuk është administruar asnjë informacion me vlerë. Në pyetje janë marrë edhe familjarët e viktimës dhe vëllezërit e tij, të cilët janë shprehur se nuk kanë asnjë dyshim se kush mund të fshihet pas vrasjes së Aleksandrit. Po sipas familjarëve, ai nuk kishte shprehur asnjë shqetësim kohët e fundit.
Identifikimi i autorëve duket i pamundur nga policia për shkak të atyre pak provave që lanë pas. Përveç gëzhojave të kallashnikovit që u gjetën në vendngjarje hetuesit nuk kanë administruar asnjë provë tjetër të vlefshme.
Në zonën periferike të qytetit ku mendohet se kanë lëvizur autorët ndodhet vetëm një kamer sigurie e një biznesi. Kjo ishte shpresa e vetme e hetuesve, por nga këqyrja e saj automjeti i autorëve nuk kaloi në këtë rrugë.
Burime nga policia nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë qenë vrasës me pagesë, ndërsa në sitë po kalohen të gjitha konfliktet e familjes Ndoka në vite. Ndërkohë, burime të Prokurorisë bëjnë të ditur se po hetohen dy pista kryesore, ajo e konflikteve personale apo anëtarëve të tjerë të familjes Ndoka dhe ajo e vrasjes për shkak të detyrës.
Aleksandër Ndoka u ekzekutua me breshëri plumbash pranë shtëpisë së tij në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë. Policia ka bërë me dije se, pas hetimeve të para dhe dëshmive të mbledhura nga banorët e lagjes, krimi ka ndodhur në mbrëmjen e së premtes, rreth orës 22:30, ndërkohë që familjarët e kanë gjetur trupin e pajetë vetëm në orët e para të mëngjesit. Përmes një deklarate për mediat, policia tha se rreth orës 04:00 Aleksandër Ndoka është gjetur i vrarë me armë zjarri në mjetin tij tip “Mitsubishi” me targa AA 382 SE. Mirëpo, pas hetimeve, u mësua se 48-vjeçari është vrarë me breshëri automatiku që në mbrëmje.
Prej vitit 2013, 48-vjeçari ka mbajtur detyra në administratën lokale në Lezhë, jurist në Hipotekë dhe Këshillin e Qarkut si dhe nga 2015 anëtar i Këshillit Bashkiak. Ndërsa muaj më parë, ai ishte emëruar edhe kryeinspektor i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për Veriun.
Një konflikt ku u përfshi djali i viktimës në zgjedhjet e 25 Qershorit është bërë gjithashtu pjesë e hetimit. Ai u arrestua vetëm 3 javë më parë, ndërsa është lejuar të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait, i shoqëruar nga forca të policisë.
Hetuesit thonë se autorët e këtij atentati kanë patur informacion të saktë mbi lëvizjet që kryente objektivi i tyre ose e kanë ndjekur atë. Rruga në afërsi të banesës është parë si vendi më i përshtatshëm, për shkak se është ngushtë dhe viktima nuk ka patur mundësi largimi.
Sipas ekspertëve të kriminalistikës, Aleksandër Ndoka ka qenë duke kthyer makinën për të hyrë në banesë dhe është qëlluar teksa po ecte mbrapsht. 14 plumba u qëlluan ndaj tij dhe 9 prej tyre e kanë prekur në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Exit mobile version