Allegri: Na pret një nga tempujt e futbollit

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, komentoi shortin e 1/8 finale të Champions-it, që u hodh sot në mesditë në Nyon të Zvicrës dhe i vendosi të tijtë kundër anglezëve të Tottenham. Përmes një statusi në profilin e vet në “Twitter”, trajneri bardhezi la këtë mesazh lidhur me kundërshtarin dhe sfidën e radhës në kompeticionin më madhor të klubeve në Europë, ku “Zonja e Vjetër” ka qenë dy herë finaliste në tri edicionet e fundit: “Wembley” na pret, një nga tempujt e shenjtë të këtij sporti. “Spurs” janë të rinj dhe të talentuar, por nëse ne do të jemi Juve e vërtetë, atëherë do të kemi sukses”.
Pavel Nedved ka folur mbi shortin e 1/8 finale të Ligës së Kampioneve, që u hodh sot në Nyon të Zvicrës dhe që i vuri bardhezinjtë kundër Tottenhamit. “Një short normal, – thotë drejtuesi juventin për “Mediaset Premium”, sepse në garat europiane nuk jemi përballur me Tottenham. Na ndodh për herë të parë. Ne jemi ndeshur në verë në një miqësore me këtë kundërshtar anglez, ku kemi humbur. Kemi për të luajtur mbas dy muajsh dhe të shohim se si do të shkojë. Kriza e Dybala? Ai është një djalë 24-vjeçar, i cili mund të ketë ulje dhe ngritje gjatë sezonit. Paolo e di se mund t’i arrijë qëllimet maksimale. Allegri është i njëjtë me të gjithë, ai gjithmonë e ka bërë këtë te Juventusi dhe po e bën mirë. Edhe Higuain, kur nuk është mirë, shkon në stol, apo Mandzukic.
Ne duam të shfrytëzojmë lojtarët, kur ata janë në më të mirën e tyre. Trajneri vendos dhe e bën mirë këtë gjë. Tottenham? Eshtë një ekip shumë i fortë, me një trajner shumë të mirë, i cili di të përfitojë nga potenciali sulmues. Por ne duhet të mendojmë vetëm për veten dhe të përqendrohemi tek vetja jonë. Finalet e humbura në Champions? Unë do të nënshkruaja për të shkuar në finale çdo vit, por duket se kjo po bëhet gjithmonë e më shumë e vështirë. Juventusi ka arritur dy herë në tri vitet e fundit në finalen e Champions-it. Kjo nuk ndodh me të gjithë”, u shpreh Nedved.