Përmbytjet ndotin ujin e pijshëm në Fier

Rreth 110 mijë banorë të Bashkisë së Fierit, prej të shtunës së kaluar kur Stacioni i Pompimit të Ujit në Kafaraj u përmbyt nga Vjosa, vazhdojnë të mos kenë ujë të pijshëm. Uji që rrjedh në rubineta ndalohet të përdoret për t’u pirë, por mund të shërbejë vetëm për përdorim komunal. “Vazhdon të jetë për përdorim komunal për vetë faktin, se duhet të dalin analizat mikrobike që ne të dalim e të themi që uji është higjenikisht i pastër”, thotë Anila Moçi.
Të hënën pritet që banorët e Fierit të mësojnë, se nesë uji me të cilin furnizohen mund të konsumohet, kohë gjatë së cilës shefja e sektorit të Epidemiologjisë pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik apelon banorët dhe administratorët e pallateve të pastrojnë dhe higjenizojnë depozitat. “Nga e hëna e javës tjetër ne dalim me parametrat mikrobiologjikë dhe fiziokimikë të ujit të pijshëm të Fierit. Të gjithë administratorët të ngrejnë zërin për pastrimin e bulierëve individual dhe të bodrumeve të pallateve, në të cilat kanë të vendosura pompat e ujit”, thotë ajo.
Rrjeti Ujësjellës i Fierit u ndot, pas vërshimit të Vjosës që përnmbyti zonën e Frakullës dhe Kafarajt ku ndodhen pompat kryesore.