Basha thirrje të rinjve: Mos u largoni, ktheni sytë nga dhjetori ‘90, guxoni dhe luftoni!

Kryetari i PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje të rinjve të guxojnë, të ngrihen dhe të luftojnë për ta ndryshuar Shqipërinë. Nga aktiviteti i organizuar për 27-vjetorin e Lëvizjes Studentore në Qytetin Studenti tek shtatorja e Azem Hajdarit, Basha kujtoi 8 dhjetorin e 1990-ës dhe tha se ishte dita kur kurajoja triumfoi mbi frikën.
“8 dhjetori 1990, dita kur kurajoja triumfoi mbi frikën, kur dëshira për liri triumfoi mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kuraja e studentëve të dhjetorit dhe liderit të tyre Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur, lirinë e mendimit, të fjalës, lirinë politike, të besimit, lirinë e lëvizjes. Liria politike është në themel të dinjitetit njerëzor. Në një shoqëri ku qytetarët nuk kanë ndikim mbi mënyrën si qeverisen, nuk mund të ketë dinjitet njerëzor 8 dhjetori, dita e parë europiane në Shqipëri. Ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur.
Shqipëria ka bërë shumë përpara që prej Dhjetorit ‘90. Por edhe shumë gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan, shumë të tjera qenë më të vështirë seç i menduam. 27 vjet pas rënies së komunizmit liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara. Shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur… Në vend që në Shqipëri të flitet për politika moderne, biznese të reja, flitet për pastrim të Parlamentit nga kriminelët.
Në vend që të mendojmë si të përmirësojmë sistemin bankar për të rritur ekonominë, diskutojmë si ta shpëtojmë sistemin bankar dhe ekonominë nga paratë e pista të krimit. Në vend që të mendojmë për më të pamundurën dhe t’u gjendemi në krah, mendojmë si të ndalojmë një grup oligarkësh që të mos plaçkitin vendin. Zgjidhni përpjekjen përballjen, guxoni, ngrihuni luftoni ta ndryshojmë Shqipërinë. PD bija tjetër së bashku me lëvizjen e dhjetorit do jetë përherë me ju, me rininë në ballë të përpjekjes. Ndryshimi do të vijë dhe do të vijë shpejt”, deklaroi Basha.