Ballina Sport Derbi, i Juventusit

Derbi, i Juventusit

“Jemi të gjithë shumë të lumtur, sepse po punojmë fuqishëm në fazën mbrojtëse dhe rezultatet janë të dukshme. Edhe dje ishte e rëndësishme të mos pësonim gol dhe të arrinim objektivin e parë të sezonit, kalimin e grupit”. Është Juan Guadrado që rikthehet të flasë për ndeshjen e Champions League kundër Olympiacos. “Trajneri insiston shumë që unë të futem drejt portës, duke krijuar superioritet numerik kur topi ndodhet në zonën kundërshtare. Dua të falënderoj Alex Sandro që shpeshherë ma shërben topin pikërisht aty. Shpresoj që një ditë të mund t’i kthej favorin, ndonëse asistet e mi janë gjithmonë për Mandzukic dhe Higuain. Të luash këto ndeshje të karrikon maksimalisht, të vjen spontane që të japësh 100% dhe të shënosh. Gjëja më e rëndësishme është të zbresësh në fushë me dëshirën për të bërë maksimumin”, deklaroi kolumbiani i Juves.
Më pas nuk mund të mos fliste edhe për supersfidën e ardhshme të Seria A, atë kundër Inter, që po kryeson klasifikimin. “Që kur shkoi Spalletti po ecin shumë mirë. Duket që u ka dhënë diçka më shumë në raport me kampionatin e kaluar. Janë të fortë dhe duhet të jemi të gjithë shumë të kujdesshëm, por ne jemi një skuadër e madhe dhe duhet të qëndrojmë të qetë e të tentojmë të arrijmë rezultat pozitiv përpara tifozëve tanë, që është gjëja më e rëndësishme. Jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje të madhe. Jam besimtar dhe mbështetem shumë në Zot. Falënderoj gjithmonë Zotin që më dha këtë talent dhe në çdo ndeshje tentoj të jap më të mirën. Është falë Zotit që jam ky që jam”, rrëfeu Guadrado.
Një sfidë totale, edhe për Kupën e Botës! Nga njëra anë Mauro Icardi dhe nga ana tjetër Gonzalo Higuain. Do të jenë që të dy përballë, të shtunën e ardhshme në “Allianz Stadium”, për të garuar për vendin e parë në kampionat, në një sfidë të gjithën argjentinase. Kapiteni i Inter krenohet me një mesatare të frikshme: 16 gola në 15 javët e para do të thotë se ka shënuar dy gola më shumë sesa ecuria që ka pasur “El Pipita” në vitin e fundit me Napolin, ku arriti shifrën e 36 golave në fund të Serie A. Kësisoj është e logjikshme të mendojmë se në shënjestrën afatgjatë të Maurito është edhe rekordi i Higuain, që gjatë këtij sezoni me Juventus, po udhëton më ngadalë, me shtatë gola më pak të shënuar se bashkatdhetari.
Një sfidë në “Allianz Stadium” të Torinos, që për Icardi (që ka shënuar 7 gola në 9 ndeshje kundër bardhezinjve) dhe për Higuain ka edhe një nënkuptim për Botërorin 2018. Këta dy qendërsulmues janë në garë të drejtpërdrejtë për një vend në kombëtaren çeleste, që do të luajë në Rusi, verën e ardhshme. Më saktësisht, në këtë moment Icardi është në avantazh ndaj Higuain, duke fituar besimin e Sampaolit, por lojërat janë ende të hapura deri në fund, ashtu si gara mes Inter dhe Juventus në historinë e Serie A.

Exit mobile version