Ballina Politikë Debatet në Komisionin e Ligjeve: Kryeprokuror sipas Kushtetutës!

Debatet në Komisionin e Ligjeve: Kryeprokuror sipas Kushtetutës!

Komisioni i Ligjeve ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të përkohshëm pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës. Komisioni miratoi me 10 votat e shumicës projektvendimin që i hap rrugë zgjedhjes së prokurorit të ri, ndërsa opozita PD-LSI u largua nga mbledhja pas debateve të forta. Në bazë të projektvendimit të miratuar nga shumica, Komisioni i Ligjeve fton të gjithë prokurorët që të aplikojnë për pozicionin vakant, ndërsa parashikohet që brenda 30 ditëve të mbyllet procesi dhe të caktohet pasuesi i Llallës me shumicë të thjeshtë. Në Komisionin e Ligjeve për më shumë se tre orë kishte një debat të fortë mes dy palëve. Opozita e kundërshton zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, ndërsa kryetari Ulsi Manja i ka cilësuar si anti-amerikanë dhe anti-europianë, referuar deklaratave të dy ambasadave që kërkojnë zgjedhjen e kryeprokurorit të ri me shumicë të thjeshtë.
Deputeti i PD, Eduard Halimi: Jeni kundër Sekretarit të Përgjithshëm që dje tha se duhen 84 vota për emërimin e kryeprokurorit. Askush nuk e kishte menduar që pas 3 vitesh PS do të shpikte Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm për punët tuaja. Jemi përplasur dhe në Komisionin e Venecias për Prokurorin e Përgjithshëm. Komisioni i Venecias i tha qartë: Prokurori i Përgjithshëm nuk do të emërohet nga partitë politike.
Enkelejd Alibeaj: Interesi i medias dhe publikut e tregon se diçka e pazakontë po ndodh. Ju po filloni procedurën për të emëruar prokurorin. E pazakontë, pasi çështja nuk ka qenë në kalendarin punimeve dhe pa kaluar procedurat gjendet në tryezën e Komisionit të Ligjeve. Ku e gjen të drejtën Sekretari i Kuvendit të iniciojnë një procedurë parlamentare.
Nuk është tentativë apo aludim që një parti kërkon të kapë prokurorin e përgjithshëm, sot është fakt. Po tentoni të ‘rrëmbeni’ kreun e akuzës për ato kompetenca që ka, çdo kush e kupton nga buron frymëzimi. Ju mund të keni edhe probleme me Llallën, por më shumë me dosjet, duke iu shtyrë të merreni në nismë në shkelje të procedurave. Duhet t’i thërrasim arsyes dhe të pozicionohemi jo kundër një individi, por Kushtetutës.
Ftesa është edhe politike, se nëse do të hidhni këtë hap të gabuar, veçse do të potenconi konfliktin politik të këtij vendi, do të bëni një kapje të pastër të drejtësisë. Do të godisni besimin publik te Reforma në Drejtësi. Sot nuk ka një ngërç të pazgjidhshëm. Ju po e shpikni ngërçin. Për Prokurorin e Përgjithshëm nuk ka një dispozitë, fakti që mbetet që Kushtetuta e reformuar nuk ka përcaktuar një rregull që atij i ndërpritet mandati.
Deri këtu mund të ketë edhe dilema. Ka pasur edhe më parë dilema, Ina Rama u emërua në bazë të një mandati të pakufishëm, më pas u vendos që të ishte 5 vite mandati, e përcaktuam me procedurë. Po ashtu edhe drejtuesi i ILDKP, e ka pasur mandatin 5 vite, u ndryshua me ligj iu bë 7, dilema ishte e njëjta, 5 me të vjetrën apo 7 me të renë; ju thatë jo 5, por 7.
Kushtetua në nenin 148/ C parashikon saktë; Deklarimin e përfundimit të mandatit të Kryeprokurorit e bën KLP. Edhe ligji për Prokurorinë thotë të njëjtën gjë. Kemi mundësinë ta zgjidhim këtë problem në mënyrë fisnike dhe dinjitoze, në të kundërt është minim i klimës politike në vend. Tani zgjidhni ose do të jeni dinjitoz me veten ose do i hidhni minat këtij vendi.
Ulsi Manja: Në mungesë të zv/prokurorit të përgjithshëm po vendosim prokurorin e përkohshëm. Ne jemi sot këtu për të zgjidhur këtë situatë ligjore. Kushtetuta flet qartë; Në rastin konkret nuk ka parashikim me zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit. Mandati mbaron sot. Kjo është arsyeja pse i lexova me shkrim argumentet, se Kushtetuta nuk t’i fal gabimet.
Nasip Naço: Grupi i LSI e ka ndjekur me vëmendje. Shumica është e interesuar për ta zgjedhur me shumicë të thjeshtë, pa konsensus me opozitën. Do të kërkoja që shumica të reflektojë. Zgjedhja me 37 deputetë në seancë. Keni frikë dhe panik, kërkoni të kapni prokurorin e përgjithshëm.
Oerd Bylykbashi: Kjo është Kushtetutë që bazohet në ligj dhe jo në memo. Po ndërtoni një Kushtetutë me defekte dhe boshllëqe të rënda, sa duket si kamionçinë. Ju kërkoni që të mbyllni dosjet e nxehta që keni. Prokurori i ri i përkohshëm mund të lëvizë prokurorët apo shkarkojë, ka kompetenca të plota. Kërkoni që prokurori të mbrojë ata që ju i mbroni me imunitet.
Eduard Halimi: Ju kërkoni të zgjidhni Kryeprokuror për 30 ditë, pra për festat e vitit të ri. Dua të sqaroj se ne nuk e kemi kompetencën për të kërkuar zgjatjen e mandatit të Kryeprokurorit…Ne zgjedhim Kushtetutën. Ju ligjin. Këtu mbaron!

Exit mobile version