Al-Khelaif i pakënaqur me skuadrën

Pavarësisht humbjes 3-1 të pësuar në “Allianz Arena” ndaj Bayern Munich, skuadra e Paris Saint-Germain u kualifikua për në fazën e 1/16 të UEFA Champions League, në cilësinë e vendit të parë të grupit. Por, skuadra franceze nuk po përjeton një moment të mirë, përkundrazi kjo është periudha më e hidhur në kampin parisien, me skuadrën që ka pësuar dy humbje brenda vetëm pak ditëve, ndaj Strasburg në Ligue 1 dhe së fundmi në Champions.
Pikërisht për këtë situatë të vështirë foli pas humbjes ndaj Bayern Munich vetë presidenti i skuadrës së PSG, Nasser Al-Khelaifi, i cili deklaroi: “Nuk po luajmë mirë. Jam shumë i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes, sidomos për lojën gjatë pjesës së parë. Nuk erdhëm në Mynih për t’u mundur 3-1. Jam optimist për të ardhmen dhe shpresoj që ky të jetë një mësim i mirë për të gjithë. E mbyllëm grupin në vend të parë të klasifikimit, por duhet të jemi shumë të përgatitur për fazën e 1/16”.