Ballina Politikë Tabaku: BB dhe FMN të shqetësuara për nivelin e lartë të borxhit

Tabaku: BB dhe FMN të shqetësuara për nivelin e lartë të borxhit

Diskutimet për aktin normativ të buxhetit janë shoqëruar me debate në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Deputetja e PD, Jorida Tabaku theksoi se tashmë është bërë traditë që aktet normative për të ndryshuar buxhetin, të bëhen sa herë që qeveria ka mosrealizime dhe sjell shkurtime të investimeve.
“Neve të njëjtave shifra i referohemi, nuk është se ne kemi shifrat tona zyrtare dhe ne prodhojmë raportet tona zyrtare. Por shifrat zyrtare të prodhuara si nga qeveria ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare paraqesin një situatë tjetër për ekonominë. Banka Botërore shpreh shqetësimin se borxhi publik as më 2017 nuk ulet poshtë nivelit 71 për qind, dhe ky shqetësim mbështet edhe nga deklarata e FMN-së”, theksoi Tabaku.
Edhe deputeti i LSI, Edmond Haxhinasto, ka theksuar se mosfinancimi i shpenzimeve për mirëmbajtjen akumulon ose krijon një hendek të jashtëzakonshëm që është shumë i vështirë që me kalimin e kohës të plotësohet. “Mosfinancimi i shpenzimeve për mirëmbajtjen akumulon ose krijon një hendek të jashtëzakonshëm që është shumë i vështirë që me kalimin e kohës të plotësohet, se fatura rritet vazhdimisht, duke mos mbajtur siç duhet infrastrukturën”, tha Haxhinasto.
Mbledhja e komisionit është shoqëruar me debate edhe për çështje të tjera si detyrimet në arbitrazh që ka qeveria shqiptare, për faturën e përmbytjeve si në vitin 2015 ashtu edhe për këtë vit, si dhe për shifrat e punësimit. Opozita ka kërkuar shifra konkrete për dëmet e përmbytjeve të ditëve të fundit, si dhe për dëmshpërblimet e përmbytjeve të 2015. Spaho ka pyetur se sa ka qenë fatura e dëmshpërblimeve më 2015, ku Ahmetaj i është përgjigjur rreth 5 milionë euro. Më tej Spaho ka thënë: “Jemi 27 milionë dollarë me 5 mln, besoj se me këtë tërhiqeni nga gjithçka keni thënë që nuk janë shpërblyer të prekurit”. Ndërkohë që opozita kundërshtoi edhe idenë e hedhur nga kryeministri Rama për të bërë sigurimin të detyrueshëm. “Mos bëj gabimin të sjellësh ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave. Do t’i rëndosh qytetarët edhe me nja 100 mijë lekë taksë”, tha Spaho. Diskutimi i aktit normativ risolli në vëmendje debatin për rrezikun që has Shqipëria në arbitrazh si pasojë e prishjes së kontratave. “Duam të dimë sa serioz është paralajmërimi që mund të përballemi me një faturë 2 mld euro gjobë”, u shpreh Spaho.

 

Exit mobile version