Ballina Politikë PD: Vetëm një qeveri Antimafia do të mund të luftojë krimin, drogën...

PD: Vetëm një qeveri Antimafia do të mund të luftojë krimin, drogën dhe lidhjet e tyre me pushtetin

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit hetimor, per nisjen e procedurave te shkarkimit nga detyra te nenkryetarit te KLD Kreshnik Spahiu.

Partia Demokratike denoncoi dje Kryeministrin Edi Rama se po bën çdo përpjekje për të vënë nën kontroll sistemin e ri të drejtësisë, duke kapur institucionet. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se së fundmi Rama po tenton të kapë edhe kryeprokurorin. Ndërsa akuzoi qeverinë se nuk jep asnjë garanci për të luftuar krimin dhe drogën, Alibeaj tha se zgjidhja e vetme është qeveria antimafia dhe largimi një orë e më parë i Edi Ramës. “Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë risjellë edhe një herë në vëmendje problemin e rëndë të kriminalizimit të Policisë së Shtetit, ku nuk ka ndonjë ndryshim, nëse është Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafaj ministër i Brendshëm. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuloi se në episodin e trafikut ndërkombëtar të 2.5 tonë kanabis, të dala nga Porti i Durrësit, ishin përfshirë, mes të tjerëve, 3 efektivë policie, 2 të Drejtorisë së Policisë së Kufirit në Durrës dhe 1 i Policisë së Fierit”, tha Alibeaj.
Partia Demokratike e ka denoncuar prej 4 vjetësh kriminalizimin e policisë si projektin e Edi Ramës në shërbim të pushtetit të tij. Alibeaj tha se kjo qeveri nuk jep asnjë garanci se krimi, trafiku i narkotikëve dhe korrupsioni qeveritar mund të luftohet. “Kjo nuk ka si të ndodhë dhe as të shpresohet që të ndodhë, sepse vetë Edi Rama është ideatori, arkitekti dhe ekzekutuesi i kësaj politike makabre për të kriminalizuar policinë dhe rrënuar shtetin”, u shpreh Alibeaj. Ai deklaroi se kjo qeveri dhe Rama nuk mund të japë asnjë garanci për luftë ndaj drogës, trafikut dhe korrupsionit qeveritar, kur vetë vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafës, është i hetuar, proceduar, gjykuar dhe dënuar nga të gjitha shkallët e gjykimit në Itali, pikërisht për krijim të organizatave kriminale për trafik lëndësh narkotike, heroinë dhe kokainë. “Nuk ka si të shpresohet për garanci për luftën ndaj krimit, drogës dhe korrupsionit, kur Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, i zhytur personalisht në këtë vorbull kriminale dhe i dokumentuar si i tillë nga autoritetet italiane, u mor në mbrojtje politike personalisht nga Edi Rama. Nuk ka si të ketë shpresë që shteti të luftojë krimin, drogën e korrupsionin, kur tre zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit në Vlorë, iu krijuan kushtet dhe lehtësitë qeveritare për t’iu shmangur drejtësisë, si një provë dramatike e zhytjes kryekëput të drejtuesve më të lartë politikë qeveritarë në këtë shtjellë kriminale, ku është zhytur Shqipëria tash e 4 vjet.
Nuk ka si të ketë shpresë se krimi dhe droga do të luftohen, kur Edi Rama po bën çdo përpjekje për të marrë nën kontroll të gjitha organet e reja të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorin e Përgjithshëm, duke bërë vetë kriminelin, policin, prokurorin dhe gjykatësin”, tha Alibeaj. “Sot, është e qartë për këdo, se ky potencial i madh kriminal nuk mund të luftohet nga Edi Rama. Sot më shumë se kurrë është nevojë imediate, krijimi i një qeverie antimafia, e pakapur nga krimi, korrupsioni dhe droga dhe vullnetplotë për ta luftuar atë. Duke filluar më së pari nga largimi një orë e më parë i Edi Ramës”, u shpreh Alibeaj.

Exit mobile version