Bisedimet për daljen e Britanisë nga BE-ja

Kryeministrja britanike Theresa May dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker shprehën besim sot se të dyja palët do të arrijnë një marrëveshje për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, pasi dështuan të arrijnë një marrëveshje një ditë më parë.
Kryeministrja May dhe Presidenti Juncker u takuan në Bruksel të hënën në përpjekje për të caktuar kushtet për daljen e Britanisë nga BE-ja, më 29 mars të vitit 2019.
“Jemi të gatshëm të rifillojmë një sesion tjetër me Mbretërinë e Bashkuar këtu në Bruksel më vonë këtë javë. Jam ende i bindur se mund të arrijmë përparim të mjaftueshëm para mbledhjes së Këshillit Evropian më 15 dhjetor”.
Zonja May tha se mbeten mosmarrëveshje për disa çështje. Por ajo ka gjithashtu besim se negociatat do të përfundojnë me sukses.
Ndër çështjet që ende nuk janë zgjidhur është nëse Irlanda e Veriut e qeverisur nga Britania do të vazhdojë të ketë rregullat e një tregu të vetëm brenda BE-së, sipas çfarë kushtesh njerëzit mund të kalojnë kufirin mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës dhe çfarë të drejtash do të kenë tre milionë europianët që jetojnë në Britani.