Wenger refuzon të heqë dorë nga titulli

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka insistuar që, ndryshe nga homologu i tij i Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino, ai nuk pranon të heqë dorë nga shanset e titullit në Premier League. “Gunners” pësuan një humbje 3-1 ndaj Manchester United në “Emirates”, të shtunën, në sajë të një performance të shkëlqyer nga portieri David de Gea. Rezultati e la Arsenalin të pestin në tabelë, 15 pikë pas udhëheqësve të Manchester City. Dhe, ndërsa trajneri i Tottenham, Pochettino, pranoi kohët e fundit se skuadra e tij ka pak shanse për të marrë kurorën e titullit, Wenger nuk ishte i gatshëm të bënte po ashtu. “Unë nuk jam Pochettino, jam Arsene Wenger, u tha francezi gazetarëve. Unë jam këtu për të luftuar për sa kohë mundem, për aq kohë sa matematikisht është e mundur. Ju nuk mund të jepni ndonjë mesazh tjetër”.
Arsenali kishte 33 goditje kundër Manchester United, por De Gea bëri 14 pritje të jashtëzakonshme për t’i mohuar gola të sigurtë ekipit të Wenger. Ai shtoi se ishte e vështirë ta pranonte rezultatin, por beson se duhet t’i bëjë lojtarët e tij edhe më të uritur. “Unë besoj se loja duhet të na bëjë të zemëruar, edhe më të vendosur, shtoi ai. Kemi një potencial të madh dhe nëse e humbim lojën, nuk mund ta pranojmë kollaj këtë. Kjo është ajo që ju dëshironi, lojtarët kanë prodhuar një performancë cilësore”.