“Uluni përpara Kryeministrisë deri sa të dëmshpërbleheni”

Partia “ZGJIDHJA” reagon pas përmbytjeve dhe dështimit të qeverisë për të ndihmuar të përmbyturit. Koço Kokëdhima bën thirrje që të përmbyturit të protestojnë të ulur përpara selisë së qeverisë, derisa të dëmshpërmblehen plotësisht. “Edi Rama dhe Lulzim Basha po e përdorin edhe fatkeqësinë e radhës së shqiptarëve për të bërë spektakël dhe për të forcuar ujdinë e partive të vjetra që t’i mbajnë të shtypur dhe të nënshtuar shqiptarët. Në kulmin e dështimit të pushtetit qendror dhe vendor për të parandaluar fatkeqësinë natyrore, përmes masave mbrojtëse, Lulzim Basha falënderoi Edi Ramën që futi ushtrinë, sepse ka falimentuar emergjencat civile, ndërsa Edi Rama falënderoi Lulzim Bashën pse e lidhi gjuhën për të mos treguar me gisht se fajtori kryesor i përmbytjes është Kryeministri i qeverisë më të dështuar të tranzicionit shqiptar. Populli që humbi gjithçka duhet të gëzohet tani pse Basha i rrahu shpatullat Ramës për përmbytjen, ashtu siç duhet të gëzoheshin viktimat e Gërdecit, pse Rama u ra shpatullave të Saliut, pak orë pas tragjedisë së shkaktuar nga shteti! ZGJIDHJA e ka thënë me kohë se, rreziku më i madh i Shqipërisë janë partitë e vjetra dhe ujditë e tyre për të grabitur dhe përzënë shqiptarët nga vendi i tyre. Ata janë bashkë në vjedhje dhe bashkë për t’i mbrojtur ato. Kur Saliu e la pushtetin në shtator 2013, në Rezervat e Shtetit thyente kokën miu, sepse u vodhën edhe kokrrat e fundit të fasuleve. Edi Rama, që çdo gjë e bën më keq se Saliu, vendosi që brenda tre viteve të fundit të ulë 5 herë fondet që jep buxheti i shtetit për Emergjencat Civile. Ky vendim absurd u bë edhe pse Shqipëria është vendi më i rrezikuar nga katastrofat natyrore. Ashtu si PD-ja, Rilindja, u dha miliarda lekë klientëve të saj për koncesione mafioze, por vetëm disa lëmosha e thërrime për të përballuar fatkeqësitë natyrore. Partitë e vjetra nuk ofrojnë më shpresë për askënd. Të përmbyturit disa herë brenda pak viteve janë dëshmitarët më të mirë të kësaj kaste hajdutësh të pacipë dhe të pashpirt, sepse e shikojnë se janë çdo herë e më keq dhe përmbyten çdo herë më shumë se herën e shkuar. Shqiptarë të nëpërkëmbur dhe të përmbytur si Abaz Seiti nga Kashishta e Fierit, që iu falimentua biznesi i serrave me luleshtryshe, apo Isuf Musaj nga Valiasi që thotë se do të vetëvritet, sepse është përmbytur 10 herë rresht, nuk kanë më asnjë fije besimi te qeveria. Në derën e biznesit dhe të shtëpisë së tyre shteti troket vetëm për të vjelë tatimet dhe faturat e energjisë, ujit dhe tokës. Ata janë sot më të pashpresë se kurrë dhe duan ose të ikin nga kjo jetë, ose nga ky vend. ZGJIDHJA u bën thirrje qytetarëve të reagojnë, të mblidhen të përmbyturit dhe të braktisurit nga partitë e vjetra parlamentare, të ulen në shesh përpara selisë së qeverisë dhe të mos shkulen prej aty pa u dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit. Qeveria e Rilindjes, në marrëveshje edhe me të ashtuquajturat partitë e opozitës parlamentare, ua jep paratë e shqiptarëve klientëve të saj me koncesione, sepse shqiptarët e tjerë nuk i ka në laps, i vjedh, i shtyp, i mbyt, i urren, i vret dhe i dëbon nga trojet e tyre. ZGJIDHJA është forca e vetme që përfaqëson qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, i vetmi kërcënim real për elitën e korruptuar politike të vendit.