Tmerri në malësitë e izoluara nga dëbora, njësitë administrative mbi 48 orë pa energji

Deputeti Bardh Spahia ishte në njësitë administrative të Dajçit dhe Rrethinave ku banorët, kanë mbi 48 orë pa furnizim me energji elektrike. Ata u shprehën se nga OSSHE nuk ka asnjë ndërhyrje për të rregulluar defektet, ndërkohë që këta banorë janë të përpiktë në pagesat e energjisë. Temperaturat po ulen dhe komuniteti i këtyre zonave kërkon ndërhyrje emergjente për zgjidhjen e situatës dhe për mungesën e ngrohjes. Ndërkohë i bëj thirrje strukturave të emergjencës të ndërhyjnë dhe në zonën e Dukagjinit ku qindra banorë të malësive janë të izoluar nga dëbora. Mungesa e energjisë dhe e shërbimeve po vështirëson nga ora në orë, jetën e banorëve atje veçanërisht të të moshuarve, dhe të fëmijëve. “Edhe pse kryeministri e ministrat flasin për tejkalim të emergjencës së reshjeve, në fakt pasojat dhe paraliza e furnizimit me energji dhe ujë të pijshëm vazhdon. Ndërkohë një emergjencë e re, ajo e dëborës, po thellohet në Veri dhe posaçërisht në zonat turistike malore që Rama i trumbeton në daljet e tij publike, këto ditë gjenden në mëshirën e natyrës. Nuk është koha të flasim për hotele me pesë yje, por për shërbimet bazike dhe për sigurinë më kryesore, atë të jetës së njerëzve”, shprehet Spahia. Ndërkaq, deputeti Spahia ka publikuar videon e një banori nga Thethi, ku terreni është izoluar nga dëbora. Ai shprehet se, qeveria duhet të kthejë sa më parë sytë nga këto zona ku komunikimi me pjesët e tjera është paralizuar. Banori thotë se, emergjencat civile duhet të ndërhynë së paku të zhbllokojnë rrugët në mënyrë që të sigurohet transporti i mallrave dhe njerëzve në rast sëmundjeje.