Taksa e përmbytjeve, afera e re 50 milionë euro e Ramës në një vit

Përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara prej tyre për Ramën janë shndërruar në një oportunitet real për të zhvatur një tjetër taksë re, atë të përmbytjes. Kryeministri Rama lajmëroi qytetarët se së shpejti do të bëhet i detyrueshëm me ligj sigurimi i banesës dhe biznesit. Duke marrë shkas nga përmbytjet dhe dëmet që reshjet e shiut shkaktuan ditët e fundit, gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencave, Rama deklaroi: “Jemi i vetmi vend që nuk e ka këtë detyrim me ligj në një kohë, kur buxheti i shtetit nuk është në gjendje të dëmshpërblejë”. Por megjithëse duket si një nismë ligjore që lidhet me situatën e ditëve të fundit, sigurimi i detyrueshëm i pronës dhe biznesit nuk është diçka e re.

Çfarë fshihet pas nismës së Ramës

Gazetari i ekonomisë në televizionin ‘Top Channel’, Klodian Tomorri, është shprehur kundër nismës së kryeministrit Edi Rama për të detyruar njerëzit të bëjnë sigurimin e banesave dhe të bizneseve, nisur nga përmbytjet e fundit. Sipas Tomorrit, pas kësaj nisme fshihet një biznes me 50 milionë euro në vit, ndërkohë që kostoja mesatare e dëshmpërblimeve që qeveria ka paguar për shtëpitë dhe bizneset e përmbytura ka qenë 200 deri në 300 milionë lekë. Sa i përket rrugëve që prishen dhe urave që shemben, gazetari thekson se, ato kanë fajtorë me emra konkretë dhe kostot duhet t’u ngarkohen atyre. Klodian Tomorri flet për përgjegjësi publike dhe individuale, kur vjen puna te dëmet që shkaktohen nga përmbytjet, ndaj taksa për sigurimin e banesave është e gabuar. “Jo taksës private të përmbytjes. Në të gjitha përmbytjet e fundit, kostoja maksimale e paguar nga buxheti për dëmshpërblimin e familjeve të prekura nuk e ka kaluar asnjëherë shifrën 500 milionë lekë. Kostoja mesatare ka qenë 200 deri në 300 milionë lekë. Pavarësisht se pamjet e ujit në banesa dhe biznese e amplifikojnë dëmin e perceptuar të përmbytjeve, ai ka qenë gjithmonë i papërfillshëm, për financat e shtetit. Është e vërtetë që ka dhe një dëm tjetër në veprat publike. Por rrugët që prishen dhe urat që shemben kanë fajtorë me emra konkretë dhe kostot duhet t’u ngarkohen atyre. Sot, kryeministri foli për sigurim të detyrueshëm të banesave dhe bizneseve. Por në asnjë rast përmbytjet dhe kosto që buron nga to nuk mund të justifikojnë taksën private të tyre; sigurimin e detyrueshëm të banesave dhe bizneseve. Dhe jo vetëm për shkak të kostos së papërfillshme, në raport me taksën që i vihet popullit, nëse miratohet nisma. Edhe tek shtëpitë apo bizneset që përmbyten, një pjesë prej tyre nuk janë dëm fatkeqësish natyrore. Por janë rezultat i përgjegjësisë, së pari, publike dhe së dyti, edhe individuale. Nëse shteti nuk bën kanalizimet, pritat, argjinaturat nuk ka pse të paguajë populli taksë për llogari të privatit. Kjo është përgjegjesia publike. Së dyti, një pjesë e bizneseve dhe familjeve që përmbyten kanë përgjegjësi individuale. Sepse nuk i ka detyruar askush individet të bëjnë shtëpitë në buzë të lumenjve, apo në zonat me risk të lartë përmbytje. Është përgjegjësi individuale. Kur dikush blen me vullnetin e tij të lirë, një mall të skaduar ose bën një investim të gabuar, ai mban kostot e humbjes, jo shoqëria. Kjo taksa private e sigurimit të detyrueshëm të banesave është 50 milionë euro në vit, nga 3 milionë euro që është kostoja maksimale e përmbytjeve. Kuptohet fare mire, se ça biznesi është ky. Për një plesht digjet jorgani”, shprehet Tomorri në reagimi e tij.

Taksimi i detyrueshëm për përmbytjet

Në shtator të vitit 2017, Autoriteti i Monitorimit Financiar i drejtuar nga ish-deputeti socialist Ervin Koçi, dha lajmin se qeveria ka përgatitur një projektligj për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore dhe se projekligji i përfunduar po diskutohej me Bankën Botërore. Projektligji përfshinte sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore si tërmetet dhe përmbytjet. Nëse projekti bëhet realitet, çdo pronar duhet të paguajë të paktën 7 mijë lekë (50 euro) për sigurimin vjetor të pronave, përveç taksave lokale mbi to. Megjithatë, siç ka treguar dhe tregu i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, pas sanksionimit me ligj, çmimi mund të rritet në rast se kompanitë e sigurimit bien dakord mes tyre. Kjo nismë e qeverisë, që në tetor, u kundërshtua nga studiues e ekonomistë. Zef Preç, ekspert i ekonomisë, në muajin tetor, tha se nisma e qeverisë “është një taksë e re për qytetarët dhe favorizim i disa kompanive”. “Në vend që qeveria të bëjë për 5-10 vjet zhvendosje të popullsisë, synon të vërë një taksë të re që varfëron më tej qytetarët. Synohet thjeshtë të shtohen të ardhurat e kompanive, duke marrë parasysh risqet se sa ndodhin tërmetet e përmbytjet”. Në kundërshtim me pretendimin e Kryeministrit Rama se, “jemi i vetmi vend në botë që se kemi sigurimin e banesave të detyrueshëm”, zoti Preçi shprehet: “Edhe në zonat më problematike, sigurimi është vullnetar. Edhe në ato vende që është bërë [i detyrueshëm] vetëm 10 për qind është mbledhur.]” I pyetur nëse sigurimi i detyrueshëm është zgjidhje e dëmshpërblimeve të familjeve që përmbyten, zoti Preçi shpjegoi se kompanitë e sigurimeve kanë ende borxhe të papaguara ndaj qytetarëve për sigurimin e automjeteve: “Janë 10 milionë euro të papaguara që nga 2002 nga kompanitë”.

LSI: Qeveria po “mbyt” sërish banorët me ligjin e sigurimeve
Deputetit i LSI-së, Përparim Spahiu, duke bërë një krahasim midis përmasave të dy përmbytjeve masive të fundit, ato të vitit 2015 dhe 2017, akuzoi qeverinë “Rama 2” se, nuk ka bërë thuajse asgjë për të parandaluar dhe minimizuar përmbytjet, por po merret me një nismë ligjore për një sigurim të detyrueshëm të banesave nga përmbytjet. “Në 2015 u përmbytën 3 mijë ha tokë dhe u prekën nga këto përmbytje 42 mijë persona. Sot, dy vjet më pas, janë përmbytur 10 mijë ha, si dhe dëmtuar 3337 banesa. Çfarë parandaloi qeveria, asgjë… As në buxhetin e 2018 nuk ka asnjë investim për kanalizim… Qeveria do t’ia faturojë qytetarëve, me një nismë ligjore për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga përmbytja. Nuk kemi parë gjë akoma…”. Kryeministri deklaroi sot se është duke punuar për të prezantuar një taksë të re, sigurimin me detyrim të pasurive të paluajtshme. Ky projektligj konsiston në faktin që të gjitha familjet shqiptare që zotërojnë një shtëpi do të jenë të detyruara të sigurojnë pronën e tyre (shtëpinë, garazhin, etj.) tek kompanitë private të sigurimit. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me bizneset. Projekti i këtij ligji është një ide që është hedhur që më parë, kur në shtator zyrtarë të qeverisë deklaronin se kanë një draft gati dhe po prisnin ta diskutonin me partnerët, përpara se ta kalonin në Parlament. Drafti konsistonte në tarifimin e detyrueshëm prej 50 € në vit (7.000 lekë të reja) për familjarët që zotërojnë shtëpi dhe tarifa të ndryshueshme në bazë të vlerës për bizneset. Pikë së pari, duhet të jemi të qartë që pas kësaj fshihet një mega aferë korruptive, ku qytetarët do të jenë të detyruar t’iu paguajnë disa kompanive shifra mbi 50 milionë €. Nuk ka asnjë arsye përtej korrupsionit. E dyta, e gjithë kjo iniciativë do të rëndojë buxhetet e këputura të familjeve shqiptare me 600 lekë të reja në muaj. E treta, nëse vendos ta ndërmarri këtë hap, kryeministri duhet të na sqarojë, cilën taksë do të na ulë qeveria, për këtë shërbim që po transferohet nga duart e shtetit, në duart e privatit? Shtetit po i ikën shërbimi i kompensimit ndaj fatkeqësive natyrore, sepse po ia kalon privatit. Dmth shteti ka nevojë për më pak lekë. Atëherë qeveria të na thotë cilën taksë do të ulë. Shteti po kalon i gjithi gradualisht në dorë të oligarkëve. Nuk do ta lejojmë të ndodhë!