Ribery drejt lamtumirës nga Bayerni

Prillin e kaluar, Bayern ka derdhur 21 milionë euro në arkat e Juventus për të blerë përfundimisht Coman. Një lëvizje kjo që nuk është pëlqyer nga të gjithë, të cilët kanë patur dyshime mbi cilësitë e lojtarit francez. Në fakt, viti i kaluar ka qenë zhgënjyes për futbollistin, i cili ka koleksionuar vetëm 2 gola dhe një asist në 19 ndeshje të kampionatit. Por, këtë vit, Coman duket se ka rilindur. Të shtunën ka udhëhequr bavarezët drejt fitores (ka shënuar golin e 2-1-it dhe ka fituar penalltinë për golin e tretë) dhe mund të jetë shkaku i daljes në pension të Franck Ribery.
Në Mynih, janë të gjithë të bindur se Coman po përmirësohet ndjeshëm nën drejtimin e Heynckes. Kroset e tij, që ishin shpesh të pasaktë në të kaluarën, tani janë të përpiktë. Sekreti? Duket se Heynckes ka kaluar orë të tëra, duke i thënë se duhet të gjejë kohën për të ngritur kokën para se të krosojë. “Është në rritje prej disa kohësh, por me Heynckes e ka përshpejtuar këtë proces, sepse ai flet shumë me Coman”, ka shpjeguar Boateng. Edhe Muller e ka vënë re një gjë të tillë: “E dimë të gjithë që është një lojtar i fortë. Ka cilësi që nuk i gjen te të tjerët. Nëse arrin t’i shprehë të gjitha cilësitë e tij në fushë, është i pandalshëm”.
Pas vitesh, në të cilët Bayern ka kërkuar të gjejë më kot një zëvendësues të Rooben dhe Ribery (Shaqiri, Götze dhe Douglas Costa), duket se Coman është përgjigja e duhur. “Robbery”, siç quhen dy sulmuesit e krahut, janë në vitin e fundit të kontratës me Bayern. Nëse për Robben, me kërkesë të Heynckes, pritet të vijë zgjatja e kontratës për një vit tjetër, Ribery rrezikon të përfundojë në balotazh me Coman dhe që të mos konfirmohet për vitin e ardhshëm. Tashmë, Bayern e ka gjetur një zëvendësues për pozicionin e tij, megjithatë, më pak se një vit më parë kishte akoma nga ata që nuk kanë qenë dakord me blerjen e Coman.
Ndërkohë, braziliani Danilo nuk është i lumtur në Manchester City dhe po mendon largimin gjatë janarit. Mbrojtësi brazilian, Danilo gjatë verës së kaluar u largua nga Real Madrid për të kaluar në Angli të Manchester City. Por, kur kanë kaluar vetëm pesë muaj, ai ka filluar të shfaqë pakënaqësi dhe po mendon largimin gjatë janarit. Danilo ka frikë se do të humbasë vendin në Kombëtaren e Brazilit për Kupën e Botës dhe beson se më e mira për të do të ishte largimi.