Revolta e banorëve të Ferrasit: Jemi në mes të baltës pa bukë dhe pa ujë

Banorë të zonave të përmbytura në Fier thonë se, janë në emergjencë për bukë, ujë e veshje, ndërsa po përballen me pasojat e vërshimit të ujërave të Vjosës. Banorët thonë se, janë të harruar në mes të baltës nga institucionet e shtetit. “Asnjë nuk ka ardhur. Na kanë lënë këtu në mes të baltës pa bukë, pa ujë dhe pa veshje. Nuk kemi marrë akoma dëmshpërblimet e përmbytjeve të vitit të kaluar dhe s’kemi asnjë shpresë se do na dëmshpërblejnë këtë vit. Qeveritarët kujtohen për ne vetëm kur vijnë votimet”, thotë një banor.
Banorët tregojnë se kanë përjetuar çaste të tmerrshme gjatë përmbytjeve të banesave. “Sa çova kalamajtë nga plaka, këtej u mbytën të gjitha. Kisha 50 kokë shpezë deti, kanë ngelur 10 kokë. 50 shqerrake, kanë mbetur 5 kokë. Ky ishte fati im”, thotë një burrë i moshuar.
Më e keqja kaloi, por banorët e përmbytur mbeten në emergjencë për ujë, bukë e veshje, pasi energjia tashmë është rikthyer.“Këtu kemi qëndruar, me gruan mbi divan. Nuk ka ardhur fare asnjë, vetëm zoti Basha erdhi dje”, thotë një tjetër.
Uji dhe balta është prezente në gati 80% të shtëpive të fshtatit. Prurjet e ujit ishin më të mëdha se viti 2015, vit që u ka kujtuar banorëve të zonave të prekura, dëmshpërblimin e munguar për atë përmbytje. “Banesa na ka rënë që në 2015 dhe unë me plakën që jemi nga 75 vjeç po banojmë çadër më çadër, na i mori lumi. Para tre vjetësh ne nuk e morëm komplet dëmin, jo do marrin dëm kësaj radhe prapë, se besoj”, shprehet një banor.
Disa familjeve rrjedha e Vjosës u ka marrë gjithçka, sa që e vetmja që u ka mbetur është besimi në Zot.“Me çfarë do të ushqehem, 150 mijë lekë të vjetra marr unë, 100 mijë lekë burri”, thotë një grua.
Niveli i Vjosës ka rënë dhe po tërhiqet në shtratin e saj, por në Darzezë të Fierit, uji dhe buka vijnë nga lumi. Pranë Hidrovorit të fshatit janë hedhur rreth 3 mijë metra kub inerte, ndërsa vijon puna për ndërtimin e urës tip beil që do të rikthejë komunikimin nga toka të dy anëve të fshatit.
Ky mbetet problemi i madh i fshatit, pasi asnjë banesë nuk është nën ujë, pavarësisht se të përmbytura janë rreth 500 hektarë tokë në të gjithë Bashkinë e Fierit.
Rreziku kaloi, por tani banorët e Ferrasit kanë përpara një sfidë të vështirë. Të mbledhin gjithçka që shpëtoi nga pasuria e tyre. Puna e parë është largimi i baltës dhe llumit që mbeti pas vërshimit të Vjosës.
Pjesa më e madhe e shtëpive të përmbytura janë të ulëta. Këto të fundit pësuan më tepër dëme. Tashmë po njihen me përmasat e katastrofës. Kompensimin e dëmeve e kërkojnë, duke i kujtuar shtetit se gaboi herën e kaluar me trajtimin dhe ndihmat për familjet e prekura nga përmbytjet.
Lumi Vjosa doli nga shtrati të shtunën në mëngjes, duke përmbytur tetë fshatra në Fier dhe Mallakastër. Më të prekur ishin Ferrasi, Cerveni, Darëzeza dhe Povelça. Energjia është rikthyer, por ka ende probleme me ujin e pijshëm. Shkak për këtë është stakimi i pompave nga Ujësjellësi i Fierit për të shmangur përmbytjen e stacionit që ndodhet pranë brigjeve të Vjosës në Kafaraj.

Përmbytja e pronave dhe bizneseve, 4 prokurori nisin verifikimin

Katër prokuroritë e rretheve, Tiranë, Krujë, Fier e Vlorë kanë nisur verifikimet pas kallzimit të dhjetëra qytetarëve që iu dëmtuan bizneset dhe pronat për shkak të përmbytjeve. Me dhjetëra qytetarë kanë bërë kallzim për dëmtimin e banesave dhe bizneseve gjatë përmbytjeve të së enjtes dhe se premtes.
Prokuroritë e rretheve, Tiranë, Krujë, Fier e Vlorë nisën verifikimin e kallzimeve të dëmeve në zonat e pushtuara nga uji, ku në sitë do të kalojnë edhe firmat kontraktuale për mirëmbajtjen e akseve rrugore, si ato kombëtare edhe rurale.
Shumë biznese VIP u përmbytën përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, duke bërë përgjegjëse firmat pastruese gjatë takimit që pati, ministri Brendshëm Fatmir Xhafaj ditën e premte. Prokuroria e Tiranës është ende në fazë fillestare, duke mbledhur dokumentacionin përkatës e më pas do të shprehet nëse ka apo jo shkelje ligjore. Gjithashtu, organi i akuzës thekson se, nisja e verifikimit për kompanitë përgjegjëse të cilat kishin si detyrë mbajtjen hapur të kanaleve kulluese e po kështu të asistonin me mjetet e tyre gjatë situatës së reshjeve të shiut, do të shkrihet edhe më tej. Ku do të verifikohet edhe mënyrën sesi i kanë fituar tenderat publik dhe a kanë staf e mjete logjistike përkatëse për të përballuar situatën emergjente, siç kaloi i gjithë vendi ynë, mbrëmjen e 30 nëntorit deri më 1 dhjetor.
Ndërkohë, të njëjtat denoncime janë kryer edhe në prokuroritë e Fierit dhe Vlorës. Familjarët pretendojnë se përmbytjet e banesave të tyre kanë ardhur si rezultat i mos funksionimit të kanaleve kulluese, detyrë që i takon firmave nënkontraktore. Edhe në këto qytete dëmet janë të mëdha, ku me qindra shtëpi banimi dhe toka bujqësore janë të dëmtuara si rezultat i përmbytjeve.