Përmbytjet, 8 mijë familje të pastreha e pa asnjë ndihmë

Situata pas përmbytjeve është dramatike në të gjithë vendin. Mbi 8 mijë familje ndodhen të pastreha dhe pa asnjë ndihmë nga qeveria për mbijetesë. Sipas bilanceve zyrtare, mbi 8 mijë banesa janë përmbytur, 10,217 ha tokë ndodhet nën ujë, ndërsa 55 ura janë shembur. Në shumë zona mungon energjia elektrike. Emergjenca Civile bën të ditur se, janë 590 familje të evakuuara dhe 1552 persona të shpëtuar. Po kështu 4715 banesa e 41 biznese u dëmtuan. Dëm të konsiderueshëm ka edhe në bujqësi, ku si rezultat u përmbytën 10 622 ha, ndërsa 27 shkolla nuk e fillojnë mësimin për arsye të kushteve të papërshtatshme.
Shumë rrugët janë të bllokuara, sidomos rrugët dytësore e rurale, ndërsa mjaft zona ndodhen pa emnergji elektrike. Shkatërrimi i urave është një ndër fenomenet e veçanta të emergjencës aktuale, që në ndryshim në ato të mëparshmet, lidhet me furinë e jashtëzakonshme të prurjeve të ujit, të shkaktuar nga intensiteti i jashtëzakonshëm i reshjeve. Reshjet e shiut janë pakësuar, por në zonat malore ka shkaktuar probleme të mëdha bora.
Vjosa është tërhequr, por në fshatin Darzezë dhe në Ferras situata mbetet problematike. Forcat e ushtrisë dhe të bashkisë janë përqendruar në Darzezë, pasi të gjithë ujërat grumbullohen në këtë vend ku ndodhet dhe hidrovori. Ushtria ka punuar gjithë natën për të ndërtuar urën që lidh fshatin dhe që u shemb të dielën e 3 dhjetorit.
Po kështu po punohet dhe për forcimin e argjinaturës në grykëderdhjen e Vjosës. Janë hedhur 3 mijë metra kub inerte në këtë zonë, duke shmangur përmbytjen e banesave të këtij fshati. Në fshatin Ferras, pavarësisht se Vjosa është tërhequr janë gati 300 banesa në ujë. Kjo për shkak se në këtë zonë nuk kanë funksionuar kanalizimet.
Në Hoxharë të re në disa banesa në tokat bujqësore si dhe në stane bagëtish ka prani të ujit. Situatë e njëjtë është edhe në Kashishtë, Cerven, Hambar, Qarr, Martin, Bishan dhe Pish Poro.
Rruga Levan-Mifol është e hapur që prej mesditës së ditës së djeshme. Rreth 5000 ha tokë bujqësore janë ende në ujë dhe janë dëmtuar 100 ha sera në këtë zonë. Tani mbetet puna e komisioneve për vlerësimin e dëmeve në këtë zonë.

Shkatërrohen 80% e serave në Vlorë

Tërheqja e ujit ka nxjerrë në dritë pasojat e para të dëmeve të përmbytjeve që shkaktoi Vjosa në Fier e Vlorë. Banorët e fshatit Kafaraj u bënë të famshëm në të gjithë vendin për kultivimin e luleshtrydheve, por përmbytjet thonë se u kanë shkatërruar investimet e një jete. “Banorët i kanë hedhur ato lekë aty dhe nuk dinë ku të plasin kokën, nuk dinë nga të marrin për t’u ushqyer. Ca ishte në prodhim, ca në pritje të prodhimit dhe serat siç i shikoni janë të shkatërruara totalisht”, thotë një fermer.
Vërshimi i ujërave ka rrëzuar rreth 80% të serave, duke shkatërruar kulturën e luleshtrydhes që prisnin ta nxirrnin së shpejti në treg. Një banor thotë se i ka humbur të gjitha. “Ky është prodhimi që shteti duhet të shikojë, i paguajmë të gjitha. Taksat dhe çfarë kërkon”, thotë ai.
Ndërsa theksojnë se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet e dy viteve më parë, fermerët e Kafarajt presin të ndjejnë dorën e shtetit. “Deri sot nuk është bërë asgjë, ne kërkojmë një mbështetje të vogël. Një të vogël fare që të themi se qeveria na mbështeti. Po vlerësohen ata që u njomen çorapet atje lart njësoj me ne. Duam një javë të futemi brenda”, thonë banorët.
Në Fitore të Vlorës ujërat e Vjosës kanë shkatërruar thuajse plotësisht një fabrikë të përpunimit të peshkut për eksport. “Llogarisim me kuintalë, 40 e ca kuintalë dëm që janë bërë nga ajo punë që ne kemi përpunuar. Dy frigoriferët që ishin poshtë me koncelat të zhabës dhe të peshkut, gjysmat shpëtuan, gjysmat ngelën brenda”.
Në fshatrat e përmbytura në këmbë lehtësisht mund të lëvizësh vetëm si ky banor që ka nxjerrë veshjen e peshktarit ose me zetorë. Për të përballuar situatën në ndihmë patën forcat e ushtrisë, të cilët i vlerësojnë dhe i falenderojnë, por tani kërkojnë ujë, bukë dhe energji. “Duam ujë, drita. Nuk kemi, jemi pa ujë. Bukë nuk ka”.
Fieri, Vlora e Fushë Kruja ishin tre nga zonat më të prekura nga përmbytjet që përfshinë vendin nga jug.

R.POLISI