Perisiç: Tani e ka radhën Juventus

Ivan Perisiç ka thënë se trajneri i Inter, Luciano Spalletti, ka qenë vendimtar në vendimin e tij për të refuzuar Manchester United dhe për të qëndruar në Itali. Sulmuesi kroat i krahut është kërkuar me ngulm nga Jose Mourinho gjatë merkaton së verës dhe vetë lojtari shprehu dëshirën për t’u larguar nga klubi milanez.
Tani, Perisiç nuk ka asnjë arsye për të qenë i penduar për vendimin e marrë, me Inter që ka marrë kreun e Serisë A pas fitores bindëse 5-0 të arritur kundër Chievo-s, edhe falë tre golave të realizuar nga ai. 28-vjeçari ka shkuar në kuotën e gjashtë golave në kampionatin italian dhe ka thënë se, forma e mirë e skuadrës është meritë e trajnerit. “Spalletti na ka thënë se çdo lojtar është i rëndësishëm dhe këtë e treguar me fitoren e fundit. Edhe ata që nuk kanë luajtur shumë gjatë vitit kanë qenë vendimtarë. Spalletti më ka bindur të qëndroj”, ka thënë ai.
Inter është e vetmja skuadër e Serisë A pa humbje dhe ndodhet një pikë para Napoli-t në klasifikim, me Juventus që është dy pikë larg. Javën e ardhshme zikaltrit do të luajnë pikërisht në fushën e kampionëve të Italisë në fuqi dhe Perisiç shpreson që zikaltrit të arrijnë ta mbrojnë vendin e parë. “Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse kemi pritur një kohë të gjatë për këtë moment dhe tani duam të fitojmë në fushën e Juventus”, ka thënë kroati.
Ndërkohë, mesfushori i Interit, Marcelo Brozoviç ka përfunduar në listën e dëshirave të trajnerit të Mnachester United, Jose Mourinho për merkaton e janarit. 25-vjeçari konsiderohet si një nga alternativat kryesore për të përforcuar mesfushën e “djajve të kuq”. Për momentin nuk ka asgjë konkrete, pasi nga hapja e merkatos na ndan thuajse një muaj. Gjithsesi, klubi anglez ka kohën e mjaftueshme për të përgatitur ofertën për kroatin.
Ndërkohë, kriza e Alex Sandros me Juventusin dhe dëshira e tij për t’u larguar nga bardhezinjtë ka shtyrë drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”, të heqin nga lista e largimeve Kwadwo Asamoah. Klubi torinez ka nisur nga puna për rinovimin e kontratës me mbrojtësin 28-vjeçar, i cili, sipas mediave italiane, pritet të firmosë shumë shpejt kontratën e re.