Lobimi në SHBA, PS pagoi 175 mijë dollarë, mashtrohet KQZ

Partia Socialiste ka paguar deri më tani 140 mijë dollarë kompaninë e lobimit Ballard Partners me bazë në Florida, për të mbrojtur interesat e saj, pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vigjilje të fushatës zgjedhore të 25 qershorit të shkuar, Partia Socialiste çmoi të lobonte pranë Shtëpisë së Bardhë të udhëhequr nga Presidenti Trump. “Faktor.al” disponon faturat dhe kontratën e firmosur me autorizim të kryeministrit Edi Rama nga z. Endri Fuga, aktualisht drejtor Komunikimi pranë Kryeministrisë, që parashikon çdo muaj një pagesë prej 20 mijë dollarësh me Kompaninë Ballard dhe ka datë skadence 31 mars 2018 dhe një faturë totale plot 240 mijë dollarë. Kompania Ballards Partners e themeluar gati një vit më parë nga z. Brian Ballard pretendon në kontratën e botuar nga “Faktor.al” që Partia Socialiste duhet të paguajë plus edhe kostot e arsyeshme që lidhen me përfaqësimin, tarifat e nevojshme të regjistrimit; dhe shpenzimet e udhëtimit si hotel, bileta ajrore, shërbim makinash me qira dhe ushqim. Deri më tani PS ka paguar 7 këste me 5 mijë dollarë secila, për një total 35 mijë dollarë. Pagesat e deklaruara nga PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk figurojnë të njëjta me deklaratën e pagesave të bërë nga kompani Ballard Partners, siç duket në dokumentin që paraqet “Faktor.al”. Datat e shuma e paguar të paraqitura nga PS në KQZ nuk janë të njëjtat me ato të deklaruara nga kompania Ballard Partners. Këtu lindin dyshime për mashtrim me deklarimet të palëve të përfshirë në këtë aferë. Megjithatë për të merituar këto para, Brian Ballard ka bërë disa shërbime për z.Edi Rama, siç janë telefonatat e datës 24 maj 2017 me përfaqësuesin në kongres z. Matt Gaetz dhe z. Matt Moewer, këshilltarin e Lartë në Shtëpinë e Bardhë. Ka kryer shkëmbime tekst dhe e-mail me kongresmenin Gaetz për një deklaratë suporti të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Konsulenti i Ballard ka rezervuar takime me Shtëpinë e Bardhë dhe me shefin e kabinetit të senatorit Marc Rubio për të folur mirë për Edi Ramën dhe Erdogan, siç thuhet në dokumentat që disponon “Faktor.al”. Gjithashtu Faktor.al mëson nga Departamenti amerikan i Drejtësisë se, Ballard Partners është një kompani që përfaqëson 36 subjekte, përfshirë dhe qeverinë turke të presidentit Erdogan. Kontratën prej 1.5 milionë dollarë me qeverinë e presidentit Erdogan, për llogari të Ballard Partners, e ndjek ish-kongresmeni republikan, Robert Wexler. Qëllim i kontratës së presidentit Erdogan është në kuadër të strategjisë kundër lëvizjes së ashtuquajtur Gulen. Ndërkohë, sipas gazetës amerikane “The Miami New Times”, Ballard Partners gjithashtu nënshkroi një kontratë këtë vit me Bankën shtetërore turke “Halkbank”, e cila është akuzuar për shpërdorime të paligjshme të parave, duke i depozituar në Iran dhe pastrimit të parave në fillim të këtij viti. Ballard Partners në më pak se një vit punë si kompani lobimi ka fituar rreth 5.2 milionë dollarë. Organizata amerikane e të drejtave të njeriut “Public Citizen” raporton se, kompania Ballard Partners, ka shfrytëzuar më së miri lidhjet me administratën e Presidentit Trump për të dhënë idenë se ka akses në Shtëpinë e Bardhë.