Kur idhujt kthehen si armiq

Në fillim i adhuruar, më pas i denigruar. Ky është fati i hidhur për atë futbollist që kalon te skuadra rivale. Në futboll ka shumë raste ‘tradhtish’, që kanë zhgënjyer shumë tifozë. Tradhtia më e famshme (e kohëve të fundit) në Itali është ajo e Gonzalo Higuain: në tre vite me Napoli-n ka luajtur 146 ndeshje, duke realizuar 91 gola, 26 asiste dhe ka fituar 2 trofe, si dhe titullin e golashënuesit më të mirë të Serisë A me 36 realizime (askush nuk ka bërë më mirë se ai). Më pas ka ardhur kalimi tek Juventus për 92 milionë euro. Të premten ka realizuar golin e radhës kundër ish-skuadrës së tij.
ROBERTO BAGGIO
Ka qenë 18 maji 1990-të. Roberto Baggio, simboli i Fiorentina-s, ka kaluar te rivalët e Juventus për shifrën rekord (për atë kohë) prej 25 miliardë liretash. Tifozët, të cilët nuk kanë arritur ta besonin këtë tradhti, kanë nisur protestat: kaos në rrugë, përleshje me policinë. Më 7 prill 1991 është kthyer në Firence si kundërshtar dhe ka refuzuar të godasë një penallti kundër ekipit të tij. Në fund të ndeshjes është përshëndetur me tifozët vjollcë dhe ka vënë në qafë një shall të ish-ekipit të ttij.
GABRIEL BATISTUTA
Një tjetër goditje e ulët për Firencen. Kalimi i Gabriel Omar Batistuta nga Fiorentina te Roma. “Batigol”, pas 268 ndeshje dhe 167 golash, afër të tridhjetave, është transferuar te verdhekuqtë për të fituar titullin. Një operacion prej 70 miliardë lireta. Më 9 prill të 2001-it, Batistuta ka luajtur ndeshjen e parë në “Franchi” kundër ish-skuadrës së tij: ka mbaruar 3-1 për Fiorentina-n dhe “Batigol” ka marrë më shumë vërshëllima se duartrokitje.
ZLATAN IBRAHIMOVIÇ
Jo vetëm Baggio dhe Higuain, Juventus ka qenë e detyruar të pranojë një ‘tradhti’. Atë të Zlatan Ibrahimoviç, i cili ka kaluar tek Inter në gushtin e 2006-ës për 24,8 milionë euro. Për shkak të skandalit “Calciopoli” dhe rënies së Juventus-it në Serinë B, Ibrahimoviç ka vendosur të largohet dhe ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare të pasur me zikaltrit. Ndeshjen e parë kundër bardhezinjve, Ibra e luajti më 4 nëntor të 2007-ës: është mbyllur 1-1. Suedezi luajti 90 minuta, por nuk arriti të shënonte. Në sektorin ku ndodheshin tifozët juventinë janë shfaqur parulla raciste ndaj Ibrës.
MARIO BALOTELLI
Tifoz kuqezi, Mario Balotelli e ka nisur rrugëtimin e tij si futbollist me fanellën e Inter. Më pas, ka ardhur transferimi te Manchecter City i Roberto Mançini-t, trajner me të cilin lojtari ka debutuar tek Inter. Por tërheqja ndaj Italisë dhe Milan-it ka qenë shumë e madhe dhe “Super Mario” është kthyer në Milano, por për të veshur fanellën e kuqezinjve në janar të 2013-ës. Në derbin e parë kundër Inter, 24 shkurt 2013, nuk mund të mungonin vërshëllimat e tifozëve zikaltër.
RONALDO
Ronaldo, “Fenomeni”, ka luajtur për disa skuadra gjatë karrierës së tij: si në Itali, ashtu edhe në Spanjë, ai ka luajtur për skuadra të të njëjtit qytet. E ka filluar karrierën e tij te Barcelona, më pas është transferuar tek Inter, më pas te Real Madrid (ka debutuar në “Clasico”, në “Camp Nou” në dhjetor të 2003-it, duke shënuar gol në fitoren 2-1 të Realit), në fund ka shkuar te Milan. Të gjithë duhet ta mbajnë mend shumë mirë gjestin e bërë nga presidenti i Inter, Massimo Moratti, në momentin që zikaltrit kanë përmbysur derbin kundër Milan (2-1), më 3 mars të 2007-ës.
ANDREA PIRLO
Në 2011-ën, Andrea Prilo, pasi ka fituar gjithçka me Milan, ka vendosur të largohet nga kuqezinjtë dhe të transferohet tek Juventus. Ndeshjen e parë kundër kuqezinjve e ka luajtur më 25 shkurt të 2012-ës. Një sfidë që ka kaluar në histori jo vetëm për vërshëllimat e shumta që publiku vendas i ka dedikuar mesfushorit, por kryesisht për golin e famshëm të Muntarit, të anuluar padrejtësisht nga arbitri.