Kriza ekonomike, për 2 muaj mbyllen 523 biznese të tjera

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar përfundimin e dy muajve të parë të aksionit anti-informalitet. Tatimet kanë bërë të ditur se janë verifikuar 22,027 subjekte ku 20.8% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar. Janë futur në skemën e sigurimeve gjatë shtatë javëve të para të aksionit 898 punonjës që janë konstatuar të padeklaruar dhe janë mbylluar 523 subjekte të paregjistruar në organet tatimore dhe për shkelje të tjera për moslëshim kuponi për herë të dytë. Tatimet nuk sqarojnë dhe e mbajnë të fshehur, nëse këto biznese janë të mëdhenj apo të vegjël. Ndërkohë tatimet shprehen se janë regjistruar 4467 subjekte të reja, por në fakt këto nuk janë biznese të reja, por formalizimi i biznesve që nuk ishin regjistruar në QKB. Ky mund të cilësohet si “suksesi” i radhës së qeverisë, ku përveç paketës fiskale që rrit barrën e tatim-paguesve, i ngushton edhe më tej lakun duke i mbyllur bizneset.

Më shumë se 1500 biznese kalojnë me TVSH

Për shtatë javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 15,678 kontrolleve (kontrolleve nga zyra, vizita fiskale apo verifikime në terren). Kontrollet nga zyra përbëjnë 74% të totalit. 1548 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore ku Tirana ka numrin më të madh me 774 subjekte, të ndjekur nga Durrësi 230 dhe Vlora me 116. Pra, këto biznese do të paguajnë edhe më shumë taksa në vijim. Tatimet njoftuan edhe se Shërbimi i tatimpaguesit ka asistuar ballë për ballë 58,586 tatimpagues. 9,608 është numri i tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljeve.

33 kompani të mëdha në faliment brenda vitit

Në harkun kohor të një viti, Gjykatat kanë miratuar nisjen e procedurave të falimentit për 33 kompani. Shifra konfirmohet për “Scan” nga burime zyrtare pranë gjyqësorit. Shifra është mjaft e ulët, duke parë numrin shumë të madh të kompanive që raportojnë balance negative në tre vitet e fundit të aktivitetit. Të pyetur nga Televizioni “Scan”, mbikëqyrësit e falimentit thonë se, shkak i numrit të pakët është ndryshimi i ligjit, por edhe mungesa e njohjes së legjislacionit në përgjithësi nga vetë bizneset. Kjo edhe pse ndryshimet ligjore parashikojnë procedura më fleksibël në nisjen e procesit të falimentit dhe likuidimin e ndërmarrjeve.
Ndërkaq vetëm Administrate Tatimore deri në vitin e shkuar ka kërkuar nisjen e procedurave të falimentit për të paktën 132 kompani, një pjesë e mirë e të cilëve me emra mjaft të njohur në tregun shqiptar. Mes tyre bien në sy subjekte si “CITY PARK”, “BELLE AIR”, apo “ALBATROS AIRWAYS”. Një pjesë e mirë e këtyre bizneseve janë në pritje që prej tre apo katër vitesh për zbatimin e procedurave të falimentit.