Basha: Rama të lërë propagandën e t’u zgjidhë hallet mijëra familjeve që janë pa ujë, pa ushqime e drita!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi dje Edi Ramës të dëmshpërblejë banorët e prekur nga përmbytjet në çdo dëm të shkaktuar, ndërsa i bëri thirrje atij që të zëvendësojë propagandën me ndihmë ndaj banorëve të përmbytur.
Basha reagoi në Facebook, pasi Edi Rama tha se, pamja e Vjosës që përmbyti Vlorën dhe Fierin, shkatërroi rrugë dhe argjinatura, i dukej spektakolare.
Basha dënoi show-n mediatik që Rama është përpjekur këto ditë dhe në vijim të shfaqë në zonat ep prmbytura, duke u përpjekur ta trajtojë situatën si jo dramatike dhe madje të tejkaluar tashmë.
Basha solli në vëmendje situatën e rëndë në të gjitha rrethet e vendit, ku banorët kanë humbur pasuritë e tyre dhe aktualisht janë në kushte të vështira për të përballuar jetesën.
“Nuk ka asgjë spektakolare në Darzezë, në Ferras e në shumë fshatra të tjera të Fierit, ku balta ka mbuluar dhjetëra shtëpi e ka shkaktuar dëme të rënda materiale. Dhe në Dërmenas po ashtu.
Asgjë spektakolare nuk ka në Novoselë e në zona të tjera të Vlorës ku, si pasojë e përmbytjeve, ka mungesa bazike, nga ushqimet tek dritat dhe uji.
Asgjë spektakolare nuk ka në Fushë-Krujë, në Bilaj, në fshatin Hasan dhe lagje të tjera, ku uji dhe balta kanë përmbytur e marrë me vete shumë pasuri dhe kursime të qytetarëve.
Po, ka dy gjëra spektakolare!
Spektakolare është përpjekja për ta nxjerrë këtë fatkeqësi në media e në ekrane si sukses qeveritar!
Spektakolare është braktisja e qytetarëve nga qeveria dhe lënia nën mëshirë të fatit pa asnjë ndihmë!
Edi Rama duhet ta lërë propagandën e t’u zgjidhë hallet mijëra familjeve, që janë prej tre ditësh pa ujë, pa ushqime e drita!
Edi Rama duhet t’i dëmshpërblejë për humbjet e pallogaritshme që kanë pësuar, pasi dimri është i gjatë dhe i papërballueshëm në këto kushte”.