Asnjë ndihmë nga qeveria për të përmbyturit e Fushë-Krujës

I dërguari i Partisë Demokratike në Krujë, Bledi Kasmi, vuri në dukje mashtrimin e qeverisë për shpërndarje ndihmash në Fushë-Krujë. Kasmi thekson se, deri në orët e mbrëmjes së djeshme në Fushë-Krujë të vetmit që kanë shpërndarë ndihma ishin përfaqësuesit e Kryqit të Kuq, të cilët kanë siguruar 70 racione ushqim në një lagje të Fushë-Krujës. Në një status të tij në Facebook, Kasmi thekson: “I mbyturi të mbyt. Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste thotë se, ka ngritur grup pune për vlerësimin e dëmeve dhe përmbytjeve në Nikël dhe se sipas tij rezulton e vetmja njësi pa përmbytje në Fushë-Krujë. Por Kasmi thekson: “Deri tani nuk ka mbërritur asnjë ndihmë për të përmbyturit e vërtetë në Bubq dhe katër lagje të Fushë-Krujës”. Banorët në Bubq, thotë Kasmi, kanë nevoja të menjëhershme për ushqime dhe për të larguar ujin nga shtëpitë. “Situata është mjaft e vështirë, sepse me mbytjen e bagëtive nuk kanë asnjë mjet për të siguruar jetesën”, vëren i dërguari i PD në Krujë. Kasmi shton se: “Në këtë situatë vjen përgjigja e qeverisë përmes të dërguarit të Ramës, Balla, që ashtu si shefi i tij krihet në Facebook dhe thotë se ka ngritur grup pune atje ku nuk ka pasur fare përmbytje”!