35 milionë euro fatura e dëmeve nga përmbytjet

Përmbytjet në vendin tonë janë kthyer në një rutinë të përvitshme, por pavarësisht kësaj asnjëherë nuk është marrë iniciativa në krijimin e një harte të zonave më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore. Krijimi i një harte me fshatrat që rrezikojnë më shumë nga përmbytjet do të ndihmonte në planifikimin dhe menaxhimin më të mirë të emergjenca në aspektin shëndetësor dhe social të tyre. Në këtë mënyrë ndoshta do të planifikohej edhe në buxhetin e shtetit një fond më i lartë se 1.3 milionë euro për emergjencat civile. Ndërkohë që, sipas përllogaritjes nga institucionet ndërkombëtare dhe Drejtoria e Emergjencave Civile fatura financiare që duhet të paguajë shteti çdo vit si rezultat i fatkeqësive natyrore është në vlerën e 35 milionë euro sa i përket dëmeve ekonomike. Sa i përket faturës shëndetësore dhe sociale që shteti duhet të paguajë në rast të emergjencave civile nuk ka të dhëna zyrtare.
Në tre ditët e fundit, vendi ynë kaloi orë të vështira si rezultat i ujit që vërshoi drejt shtëpive dhe bizneseve kryesisht në jug të vendit. Të gjitha strukturat shëndetësore aktivizuan planet e emergjencës, duke siguruar shtim të kapaciteteve në rast nevoje për të përballuar një rritje të sëmundshmërisë apo ngjarjeve të tjera që kanë lidhje me situatën e përmbytjeve; sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore për çdo fluks potencial emergjence. Si rezultat në qendrat shëndetësore janë trajtuar mbi 189 qytetarët prej të cilëve 77 persona kanë marrë ndihmë të specializuar në spitale dhe 112 perona të tjerë kanë marrë ndihmë shëndetësore pranë banesave të tyre.
Në të njëjtën kohë është zgjeruar shërbimi 24 orësh në Qendrat Shëndetësore në të gjitha zonat, ku kishte emergjencë për shkak të përmbytjeve. Aktualisht, ofrohet shërbim shëndetësor me kapacitet të shtuar në 14 qendra shëndetësore në zonat më problematike Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Berat. Ndërkohë që 12 njësi të lëvizshme të urgjencës kryejnë vizita mjekësore tek banorët e evakuuar. Ndërkohë që, strukturat e shëndetit publik vijojnë punën për monitorimin e cilësisë së ujit për të shmangur çdo mundësi të përdorimit të ujit të kontaminuar në zonat ku ka patur përmbytje masive.

Ngërçi me monitorimin, klima po rrit ekstremitetet, po vështirësohet menaxhimi

Parashikimi është një nga armët që një vend mund të ketë për t’i bërë ballë me sukses situatave të emergjencës. Por këtë lloj parashikueshmërie për punën e përmbytjeve me metodat dhe të dhënat që kemi sot mund ta bëjmë vetëm kur përmbytjen e kemi tek dera. Kjo është një nga arsyet pse qeveritë e të gjitha vendeve investojnë në monitorim. Në një intervistë dhënë për “Monitor”, inxhinieri hidroteknik i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Klodian Zaimi, e vinte theksin pikërisht në këtë aspekt. “Që të arrish të parashikosh me saktësi të mjaftueshme, duhet të kesh të dhëna që kanë seri 20-30-vjeçare të monitorimit të ujit dhe klimës, që s’ka qenë e mundur. Ka një mosinteresim për monitorimin në investime, në lidhje me monitorimin e parametrave hidrologjikë dhe klimatikë. Duke u matur si trupa ujore dhe si sipërfaqe hidrografike, duke u krahasuar me një vend si Italia dhe që bën një monitorim të pranueshëm në standardin e Komunitetit Europian, ne do na duheshin të investonim 3-5 milionë euro në vit. Në fakt, investimet tona për monitorimin pas viteve ’90 kanë qenë të papërfillshme”, shprehet ai. Ndërkohë që situata duhet të ndryshojë dhe Shqipëria duhet të marrë masa, sepse ndryshimet klimatike po japin sinjalet e tyre për rritjen e ekstremiteteve në fenomenet natyrore, duke vështirësuar menaxhimin e tyre. “Nga studimet e fundit dhe për pozicionin ku ndodhet Shqipëria, tendenca e gjithë resurseve ujore brenda territorit është për një ulje të sasisë së prurjes ujore deri në 20% në totalin e tyre. Jo vetëm në sasi ato shfaqin elemente të uljes së prurjes, por nga ana tjetër, shfaqin më shumë ekstreme të thatësirës dhe përmbytjeve. Kjo mendohet që është si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe efekteve të para që janë vërejtur, por gjithsesi shihet në tendencë dhe në projeksion. Ka disa projeksione për vitin 2030, 2050 dhe 2100 që parashikohet me këtë drejtim pra, ulje dhe rritje të ekstremitetit, që do të thotë se menaxhimi i tyre është më i vështirë dhe popullsia e rrezikuar mund të jetë më e madhe për shkak të rritjes së prurjeve maksimale në disa nga lumenjtë e përrenjtë e vendit, çka do të thotë që menaxhimi i tyre do të jetë më i vështirë për shkak të ekstremiteteve”, nënvizon Zaimi.

Reforma Territoriale krijoi lëmsh kompetencash për mbrojtjen nga përmbytjet

Gjatë viteve të fundit është vërejtur boshllëk institucional në rritje për sa i takon faktit, se cila strukturë është përgjegjëse për administrimin e sistemeve ujitës. Shkak është bërë Reforma Territoriale, e cila ka transferuar disa nga funksionet e ujitjes dhe kullimit nga pushteti qendror tek ai vendor. Periudha tranzitore e shoqëruar me mungesën e përvojës dhe mjeteve dhe mos rregullimi me akte ligjore e nënligjore i ka lënë kompetencat për mbrojtjen nga përmbytjet pezull.
Ministria e Bujqësisë, duke referuar kompetencat e reja, sqaron se, Bordet e Kullimit kanë qenë përgjegjës për administrimin e veprave të marrjes dhe kanaleve kryesore të ujitjes kryesisht në sistemet e mëdha si dhe infrastrukturën kryesore të kullimit.
Organizatat e Përdoruesve të Ujit (OPU-të) e krijuara ishin përgjegjëse për administrimin e rrjetit sekondar dhe terciar të ujitjes, por shumica e tyre nuk janë më aktive dhe ato dështuan në kryerjen e funksioneve të tyre për shkak të mungesës së partneritetit dhe krijimit të kapaciteteve nga strukturat përgjegjëse shtetërore gjatë dekadës së fundit, analizon Ministria e Bujqësisë.
Në fillim të vitit 2016, shumica e skemave ujitëse u transferuan tek bashkitë, të cilat kanë krijuar Njësitë përkatëse të Ujitjes dhe Kullimit.
Tani bashkitë janë përgjegjëse për ndërtimin e kapaciteteve në Njësitë e tyre të Ujitjes dhe Kullimit si dhe për OPU-të (Organizatë e Përdoruesve të Ujit). OPU-të do të marrin gradualisht përgjegjësi në rritje, kur ato të trajnohen dhe kanë interes/dëshirë për një angazhim të tillë.
Në shumicën e vendeve, kullimi që nuk lidhet direkt me ujitjen, konsiderohet si funksion publik dhe si i tillë financohet nga buxheti i shtetit. Administrimi i kullimit është përgjegjësi e Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit, të cilat janë struktura varësie të MBZHRAU. Funksionet dhe detyrat e tyre janë të lidhura me shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e kolektorëve dhe kanaleve kryesore kullues, hidrovoreve, kanaleve të ujërave të larta dhe veprat e mbrojtjes nga përmbytja në administrim të tyre.
Ndërsa përgjegjësia e administrimit dhe pronësia e gjithë infrastrukturës tjetër të kullimit i është transferuar bashkive përkatëse, në zbatim të VKM nr.1108, datë 30.12.2015, “Për transferimin nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave te bashkitë, të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit”.

Mbi 600 mina me sahat, alarmi për rezervuarët dhe digat e vendorëve

Përmbytja e autostradës Tiranë-Durrës dhe vërshimi i menjëhershëm i ujit në disa biznese, për të cilat u fajësua hapja e digës së Kasharit, ka risjellë edhe njëherë në vëmendje problemet me menaxhimin e digave pas kalimit të tyre në administrimin e Bashkive. Reforma territoriale u kaloi më shumë kompetenca vendorëve dhe mes të tjerave, me një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 30 dhjetor 2015, është urdhëruar transferimi nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave tek Bashkitë, e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit. Infrastruktura e ujitjes dhe kullimit dhe asetet e paluajtshme, kaluan nga bordet e kullimit te bashkitë, në territorin e të cilave është vendndodhja e tyre. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, bashkitë janë përgjegjëse për administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të tyre, sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe sigurinë e digave të rezervuarëve që përdoren për ujitje dhe që u janë transferuar bashkive. Por duket se ka një ngërç, edhe pse jo përgjithësues, për të gjitha, pasi një pjesë e mirë e bashkive nuk kanë ngritur njësi të veçanta të menaxhimit. Burime pranë Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha konfirmuan për “Monitor” se, ka pasur regjistrime për diga të reja siç është ajo e Banjës dhe Moglicës që janë të Statkraft apo diga që po ndërton Ayen Enegji, por pak është bërë për digat ekzistuese që ka nën menaxhim pushteti lokal. “Ne si institucion mund të japim miratim për projektet që na sillen lidhur me ndërhyrjet që mund të bëhen në diga. Administrator i tyre është pushteti vendor dhe ai siguron financimin dhe përgatit edhe projektin. Ne shprehemi vetëm nëse përmbushen dhe respektohen standardet që kërkohen. Mesa informacion kam, nga 650 diga që janë të regjistruara, janë bërë ndërhyrje vetëm në 14 prej tyre. Nga pushteti vendor nuk kanë ardhur ndërhyrje të propozuara edhe pse ne ju kemi kërkuar 61 bashkive në vend, edhe me formë shkresore, që të ngrejë për çdo rezervuar dhe digë një njësi teknike që do të merret me menaxhimin. Për këtë kërkesë nuk kemi marrë ndonjë reagim domethënës. Nga raporti që bëmë ne në 2016, asnjë nga njësitë e qeverisjes vendore nuk ka sjellë ndonjë projekt ndërhyrjeje”, pohojnë të njëjtat burime. Sipas ekspertëve, duke qenë se digat kanë qenë në fazë tranzicioni, pas kalimit nga Ministria e Bujqësisë tek pushteti vendor kanë mangësi në monitorim dhe ndërhyrje dhe kjo është e rrezikshme në situata problematike me reshje, duke u kthyer në një minë me sahat. Një situatë problematike e pranon edhe vetë Ministria e Bujqësisë. Në strategjinë e Ujitjes dhe Kullimit të publikuar në maj të këtij viti, nënvizohet se në pjesën më të madhe të digave kërkohet ndërhyrje. “Nga vlerësimet e bëra për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si për sa i takon sigurisë së digave ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë. Në 27% të tyre ka dëmtime në trupin e digës, 29% dëmtime të shkarkuesit katastrofik, 30% dëmtime të ujëlëshuesit, 14% dëmtime njëkohësisht të trupit të digës dhe shkarkuesit katastrofik/ujëlëshuesit. Në total, kapaciteti ujor i rezervuarëve është zvogëluar me rreth 45%. Kjo për faktin se cikli i jetëgjatësisë së tyre është në përfundim dhe kupat e rezervuarëve janë mbushur me aluvione. Kapaciteti ujor i projektuar për të 626 rezervuarët ka qenë 560 milionë m³ ujë, ndërsa kapaciteti total aktual shkon në rreth 300 milion m3 për sezon ujitjeje”, thuhet në strategji.