Vjosa del në rrugë, Novosela nën ujë

Situata e përmbytjeve ka vijuar të jetë shumë e rënduar, veçanërisht në qarqet e prekura më tepër, Fier dhe Vlorë. Zona e Novoselës në Vlorë vazhdon të jetë nën ujë. Mësohet se mbikalimi i Novoselës është përmbytur brenda 30 minutave për shkak të reshjeve me intensitet të lartë dhe daljes së Vjosës nga shtrati.

Në këtë zonë është pezulluar qarkullimi për automjetet e vogla, ndërsa forcat e policisë e ushtrisë ndodhen në zonë, të cilat po evakuojnë njerëzit dhe po sjellin ndihma ushqimore. Deri më tani janë evakuar 40 familje, ndërsa disa familje të tjera e kanë pasur më të vështirë të braktisin banesat pasi nuk pranojnë. Janë 70 banesa që ndodhen ende nën ujë.