Xhafa – bizneseve: Merrni vetë masa për përmbytjet

Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj iu desh të përballej dje me revoltën e përfaqësuesve të biznesve në autostradën Tiranë-Durrës, në zonën e Vorës pas përmbytjes së investimeve të tyre. Sipas tyre asnjë nga institucionet shtetërore nuk iu përgjigjet për situatën, teksa kjo gjendje përsëritet vit pas viti. Më poshtë debati i plotë të Xhafaj me një sipërmarrës të identifikuar si Sajmir.
Biznesmeni: Kemi një shkresë ku prefektura shpall gjendje emergjence në dhjetor të 2017.
Xhafaj: Shumë mirë, ta trajton i si të tillë me Prefekturën.
Biznesmeni: Si ta trajtoj?
Xhafaj: Të kalojmë këtë situatë dhe pastaj.
Biznesmeni: Ne kemi një vit që jemi në emergjencë. Jam një subjekt që jam përmbytur dy herë zotëri. Mua nuk më vinë as tatimet, as zjarrëfikësja, asgjë.
Xhafaj: Si nuk të vjen zjarrëfikësja?
Biznesmeni: Të marr Erion Veliaj thotë nuk më takon mua se je larg.Nuk je Tirana.
Xhafaj: Cilit institucion i je drejtuar, Erion Veliaj nuk i takon. Policisë i ke thënë?
Biznesmeni: Policisë? Vetëm pistoletë se gjë tjetër nuk ka ai.
Xhafaj: E ke gabim.
Biznesmeni: E ke gabim ti, nuk ka zjarrëfikëse. Vjet nuk kishte, e ka bashkia e Vorës, shoqërisht ma kanë sjellë nga Tirana.Çfarë duhet të bëj unë?
Xhafaj: E kuptoj hallin tënd.
Biznesmeni: Nuk është punë halli këtu, është jetike.Kemi falimentuar fare, çfarë duhet të bëjmë?
Xhafaj: Tek biznesi?
Biznesmeni: Po.
Xhafaj: Ti vetë si biznes nga viti i kaluar ke marrë ndonjë masë sivjet?
Biznesmeni: Çfarë mase të marr unë?
Xhafaj: Po patjetër, pse shteti duhet ti marrë?
Biznesmeni: Më jep lekët mua të marr masa
Flet një tjetër qytetar
Çfarë masa të marrim ne, të mbajmë digat? Është përmbytur, 3 metra ujë. Policia na mbyti ne, hoqi bordurat. Rezervuarin e lëshuan.
Xhafaj: Po më the për trafikndarëset ka bërë jashtëzakonisht mirë. Para asaj derës tënde ishin jetët e njerëzve.
Një tjetër qytetar: Vini dhe kërkoni taksat, ku ti gjejmë lekët ne, kë të vrasim?Kë të vjedhim ne, hajdutë do të bëhemi?
Xhafaj: Pse duhet të vjedhësh, po vodhe do të futesh në burg.
Biznesmeni: Problemi është që gjithmonë ky uji na bie këtej, nga kalon ai ujë?
Xhafaj: Do ta trajtoj këtë gjë me Entin e Rrugëve në mënyrë që të shohim që çfarë mund ta bëjmë atje që të mos ndodhë më ky fenomen.
Biznesmeni: Nuk e përballon ajo, jemi të pashpresë. Dhe e di për çfarë më vjen keq, ne jemi kuajt e ekonomisë, pa ne nuk ecën qerrja. Bjeri kalit sa të duash po nuk pat fuqi. Edhe vjet jam mbytur, edhe Edi Ramës i ka shkruajtur.
Xhafaj: Të premtoj se do ta trajtoj këtë gjë.
Biznesmeni: Ne nuk na vinë as Tatime, asgjë.
Xhafaj: I lëmë Tatimet sot se jemi për përmbytjet.
Biznesmeni: Po si të gjej unë mallin se ti më kërkon 20%.
Xhafaj: I do sot Tatimet këtu?
Biznesmeni: Të vinë me një këmbë, mirë që jam mbytur por ata më duan dhe 20% mua. E kam bërë vjen ankesën dhe nuk kanë ardhur 1 vit. Po të gënjeva jam burri më i poshtër.